TIRANË- Një rast pengmarrje është regjistruar në Vlorë. Konkretisht Vilson Agaj, Orest Çorapaj dhe Julian Zogaj janë arrestuar, pasi dyshohet se prej 2 javësh mbanin të izoluar shqiptarin nga Kosova, Fisnik Xhaka, i cili dhe ishte dhunuar prej tyre. Fisnik Xhaka u mor peng nga 3 të rinj vlonjatë, për shkak të prishjes së pazareve të drogës, ku 39-vjeçarit i kërkohej një shumë prej 70 mijë eurosh, pasi kishte dalë garant për një sasi lënde narkotike në një shtet europian. Shqiptari nga Kosova ishte njohur me tre të arrestuarit në Suedi, ku kanë kryer marrëveshje të paligjshme për trafik droge. Xhaka i ka lidhur ata me një person tjetër jashtë vendit, dhe vlonjatët kanë dërguar drogën në një vend të BE-së. Pas kësaj, personi që mori drogën jashtë vendit nuk u ka kthyer paratë vlonjatëve. Vetë Xhaka, ka 'kyçur gojën' në Polici, ndërsa edhe autorët nuk kanë pranuar të zbulojnë vendin e saktë ku ishte dërguar droga.
/ZËRI