TIRANË-Një ditë pas arratisjes spektakolare të të burgosurit Altin Ndoci, ministria e Drejtësisë ka shkarkuar drejtorin e burgut të Durrësit, Indrit Cerloj. Po ashtu, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve më herët ka njoftuar se ka ndërmarrë masa administrative dhe ligjore, duke pezulluar të gjithë zinxhirin komandues të burgut. Ndërkohë, bëhet me dije se mes të arrestuarve është shefi i komanduar i policisë së burgjeve, si dhe kryeinfermieri i i burgut, i cili ka firmosur raportin se i burgosuri kishte nevojë për vizitë spitalore. Ata akuzohen për shkelje të rënda të detyrës gjatë shoqërimit të Ndocit për vizitën mjekësore, duke mos informuar as drejtorin e burgjeve dhe as policinë e shtetit për itinerarin e planifikuar. Altin Ndoci, i akuzuar për një sërë veprash të rënda penale, përfshi vrasje dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, u arratis gjatë mesditës së djeshme, ndërsa shoqërohej për një vizitë mjekësore në spitalin e Durrësit. Pasi goditi rojet, ai zbriti përmes një dritareje në katin e tretë të spitalit, dhe më pas u largua me një “Audi” të zi që po e priste në parkingut e spitalit.
/ZËRI