TIRANË- Gjykata e Durrësit ka liruar nga burgu Indrit Cërlojin, ish-drejtorin e burgut të Durrësit, i arrestuar për arratisjen e Altin Ndocit, ngjarje e ndodhur më 13 janar. Gjyqtari Xhevdet Lika ka pranuar kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”. Arrestimi i tij erdhi vetëm një ditë pas shkarkimit nga detyra si drejtor i Burgut të Durrësit, ku akuzohet për shpërdorim detyre në rastin e arratisjes së Altin Ndocit. Ish-drejtori i IEVP, bashkë me disa zyrtarë të tjerë të policisë së burgjeve dhe staf civil, dyshohen se me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë shpërdoruar detyrën, me pasojë shkeljen e procedurave për shoqërimin në spital të Altin Ndocit, i cili u arratis. Arratisja e Ndocit ndodhi më 13 janar nga ambjentet e spitalit të Durrësit, pas shqetësimeve në veshka. Ai arriti të largohet me vrap ndërsa një “Audi A7” e priste në parkimin e spitalit të Durrësit.
/ZËRI