TIRANË- Abonentët e kompanisë celulare One Albania janë njoftuar për një rritje të tarifave, e cila do të hyjë në fuqi nga 1 maji 2026. Mesazhi informues u është dërguar qytetarëve që në orët e para të mëngjesit, duke njoftuar se çmimet e paketave mujore do të pësojnë një rritje të lehtë, që në varësi të planit arrin nga rreth 300 deri në 400 lekë të vjetra në muaj. Kështu, një paketë prej 12 mijë lekësh të vjetra do të kushtojë mbi 12 mijë e 200 lekë, ndërsa paketat më të larta do të pësojnë rritje të ngjashme. Kompania sqaron se kjo rritje vjen si pasojë e indeksit të çmimeve të konsumit, të publikuar nga INSTAT, dhe se ndryshimi nuk do të kalojë nivelin prej 2.2% të tarifës aktuale. Në fillim të vitit 2024, dy operatorët kryesorë të tregut, Vodafone Albania dhe One Albania, ndryshuan kushtet e kontratave për klientët, duke përfshirë një klauzolë që u jep të drejtën të indeksojnë çmimet çdo vit sipas inflacionit. Por, deri më tani, këtë praktikë e ka zbatuar vetëm One Albania.
/ZËRI