
TIRANË- Gazetari Artan Hoxha, ka qëndruar më shumë se 3 orë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku u mor në pyetje për 21 Janarin, ku gjatë një proteste të Partisë Socialiste, asokohe në opozitë, mbetën të vrarë 4 protestues. Hoxha ka dorëzuar në SPAK një material audio, ku dëgjohen komunikimet që janë zhvilluar mes drejtuesve të shtetit dhe zinxhirit komandues të gardës, ditën e ngjarjes së rëndë.
Sipas gazetarit, tragjedia mund të kishte marrë përmasa shumë të mëdha, nëse zjarri mbi protestuesit do të kishte vazhduar më shumë se 7 sekonda. Hoxha tha se familjet e viktimave kanë shpresë se SPAK do ta zbardhë ngjarjen, ndërkohë që sipas tij me kalimin e viteve shumë prova janë zhdukur.
Gazetari u shpreh se urdhri për të vrarë protestuesit është dhënë me gjakftohtësi, dhe se SPAK-un sot se pengon asgjë që të marrë në pyetje drejtuesit më të lartë të shtetit, por edhe Edi Ramën, që asokohe ishte kreu i opozitës, dhe organizatori i protestës./ZËRI