
TIRANË- Rreth një muaj më parë më 28 mars u zbulua skandali me mishin e pulës me salmonelë, ku afro 20 ton u konsumuan nga qytetarët. Nga kontrollet që u ushtruan në supermarkete apo kudo ku mund të shitej, nuk u gjet asnjë gram mish i futur në vendin tonë. Mishi i infektuar u konsumua nga qytetarët por edhe nga vetë kryeministri Edi Rama. Në një deklaratë së fundmi, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se biznesmeni i cili solli mishin e infektuar në vend është eksponent i Partisë Socialiste. Sipas Berishës, biznesmeni, mishin e pulës e ka çuar deri tek kryeministri dhe pretendon se Rama është helmuar nga konsumimi i tij.
Por kush e solli dhe e 'serviri' mishin e infektuar për konsumatorët shqiptarë?
Pas skandalit qëndrojnë dy kompani: 'diMal' dhe 'AMG FOOD', në pronësi të biznesmenit Mondi Goxha. Kompania 'AMG FOOD' më 11 mars importoi nga Brazili gati 20 ton mish pule të kontaminuar me salmonelë. Më pas do të ishte kompania 'diMal', ajo që do e shpërndante në treg. Emrat e bizneseve ku u shpërnda produkti nuk dihen me saktësi, por në faqen zyrtare të kompanisë “Dimal”, vëmë re se bashkëpunëtorë janë marketet më të frektuentuar nga blerësit shqiptarë, si: “Big Market”; “Xhangolli”; “Euromarket” dhe “Joena”. I kontaktuar nga ZËRI, pronari i kompanisë Mond Goxha, pranoi se malli me salmonelë është i porositur prej tij. Por shtoi se nuk ka një shifër ekzakte sesa ka shitur në treg. Skandali do të sillte në vëmendje një tjetër shkelje të Mondi Goxhës. Biznesmeni mori milona lekë nga fondet e IPARD.
Në vitin 2023, ai u mor si shembull nga asokohe Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca. Në një postim në rrjetet e saj sociale ajo zbuloi se Goxha kishte përfituar nga programi i IPARD-it për të siguruar të ardhura shtesë për të krijuar fabrikën, tek e cila përpunohen edhe mishrat e infektuar që arrijnë të futen më pas edhe në treg.
Edhe vetë Goxhaj pranonte se në vitin 2019 aplikoi pranë AZHBR-së, për mbështetje nga IPARD. Sot pronari i dy kompanive Mondi Goxha dhe vëllai i tij, Arben Goxha administrator i 'diMal', po hetohen në gjendje të lirë. Dy vëllezërit akuzohen për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme, për shëndetin ose jetën e njerëzve”.