
BRITANI E MADHE- Sali Berisha do të vijojë të jetë 'non grata' në Britaninë e Madhe, ku nuk do të mundet të shkelë pasi ka humbur apelin në Komisionin Special të Apeleve të Emigracionit në Londër. Ish-kryeministri e apeloi shpalljen e tij non grata në Mbretërinë e Bashkuar në mars të këtij viti, por Gjykata e Apelit është shprehur në favor të Qeverisë, duke dalë në përfundimin se vendimi është marrë bazuar në një vlerësim holistik të provave të vendosura në dispozicion. Vetë Berisha ka reaguar pas vendimit duke akuzuar ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Alastair King Smith dhe paraardhësin e tij, Norman Duncan, se kanë ndërhyrë në dhënien e këtij vendimi me lobim të filantropit George Soros dhe kryeministrit Edi Rama. “Home Office” e shpalli “non grata” Berishën pas Departamentit Amerikan të Shtetit, më 19 korrik 2022. Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi janë në arrest shtëpie dhe po hetohen për korrupsion në lidhje me aferën e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”, vend ku sot janë ndërtuar 19 kulla.