
TIRANË- Denoncimet e shumta që ka marrë ZËRI së fundmi për mikrokreditë, hedhin dyshime dhe për përfshirjen e bankave të nivelit të dytë. Një qytetare, na tregon rastin e saj. Përmes një mesazhi, zonja në fjalë rrëfen se i ati ka marrë një kredi tek Raiffeisen Bank, një shumë prej 7 milionë lekësh të vjetra, të cilën e ka shlyer të gjithën dhe bashkë me interesa ka paguar afro 11 milionë lekë të vjetra. Vajza në fjalë shpjegon se pavarësisht se afati i kredisë kishte kaluar, banka në fjalë vijonte të mbante paratë për këstet rregullisht.
Por, kjo gjë është zgjidhur përmes një komunikimi me bankën. Problemi vazhdon kur disa muaj më vonë, në shtëpinë u kanë shkuar zarfe letrash nga Micro Credit Albania që i lajmëronte se duhet të paguanin shumën prej 5 milionë lekëve të vjetra. Në një kohë, kur asnjë nga anëtarët e familjes nuk kanë pasur kurrë kontakt me këtë kompani. Tashmë, te detyruar dhe mes kërcënimeve janë detyruar të rinisin pagesat. Tashmë, familja në fjalë ka ende 2 milionë e 200 mijë lekë të vjetra pa paguar dhe llogaritë bankare u janë bllokuar.