
TIRANË- Festat kanë ardhur dhe një pjesë e mirë e shqiptarëve kanë planifikuar të udhëtojnë në destinacione më të largëta. Sipas të dhënave të grumbulluara nga agjencitë turistike, një përqindje e ulët u kanë lejuar vetes luksin e 10 ditëve pushime, nga 29 dhjetor në 7 janar. Të tjerët kanë zgjedhur rajonin për ski dhe për natën e ndërrimit të viteve. Infrastruktura e mirë dhe çmimi i leverdishëm e kanë vendosur Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Këtë vit, çmimet janë të favorshme në Stamboll. Vëmendje të veçantë ka pasur Vjena, Kolmari, Praga, Amsterdami, Bukureshti dhe Parisi.
Çmimet për këto destinacione raportohen në rreth 170 euro mesatarisht për person, për 2 netë. Një pjesë ka preferuar dhe destinacionet ekzotike. Në krye të prenotimeve është Dubai. Paketat për këtë destinacion variojnë rreth 550 euro për person, 5 ditë.
Eksplorimi i rajoneve të panjohura dhe të magjishme, si Lapland dhe qyteti i Rovaniemit, ka bërë që shqiptarët të zgjedhin një aventurë të re. Rovaniemi, qyteti kryesor i Lapland dhe vendi ku ndodhet ‘zyra’ zyrtare e Babagjyshit, është një qytet i vogël me mrekulli natyrore e atmosferë festive. Sipas agjencive, ky udhëtim ka një kosto që fillon nga 899 euro për person, për 4 netë.