
TIRANË- Ermir Dedja, 29 vjeç, një person me precedentë penalë është ekzekutuar me armë zjarri pas mesnatës në Durrës. 29-vjeçari u fut me makinën e tij në lagjen ku banonte dhe sapo ka zbritur nga mjeti është qëlluar me dy plumba, një në shpinë dhe një në gjoks. Plumbi në gjoks e ka prekur në zemër dhe pavarësisht se u dërgua në spital, nuk mundi të mbijetonte.
Deri më tani, autoritetet kanë gjetur një makinë të djegur në afërsi të Gërdecit dhe dyshohet se u përket autorëve të krimit. Makina tip "Seat" me targa të vjedhura është shkrumbuar totalisht, por brenda është gjetur një kallashnikov. Mjeti është marrë nga policia e Durrësit ku po verifikohet numri i shasisë për të gjetur kështu edhe fije lidhëse për të identifikuar autorët e vrasjes. Hetimet vazhdojnë. Ermir Dedja është një person me precedentë penalë, me origjinë nga Shijaku por me banim në Durrës. Në vitin 2015, ai është arrestuar pasi i shiti lëndë narkotike një grupi që synonte ta trafikonte në Kosovë, përmes Morinës. Por, u lirua për tu vënë në pranga dy vite më vonë, për përkrahje ndaj Ismail Nuredinit, autor i një plagosjeje në Shijak. Në vitin 2021 u përball sërish me autoritetet për largim nga vendi i aksidentit, ndërsa në vitin 2023 u dënua me 7 muaj burg për kundërshtim të punonjësit të policisë.