TIRANË- Kreu i SPAK, Altin Dumani, u paraqit para Kuvendit të Shqipërisë për rreth 7 orë dhe iu përgjigj 65 pyetjeve nga deputetë të opozitës. Seanca zbuloi një panoramë të gjerë të çështjeve ku SPAK ka ndërmarrë ose ka nisur një proces hetimi, por shumë prej dosjeve mbeten në fazën paraprake dhe me informacion të kufizuar publik. Dumani deklaroi se hetimi pë inceneratorin e Elbasanit dhe Fierit është mbyllur, ndërsa ai i Tiranës mbetet në fazë hetimi paraprak. Sa i përket Aeroportit të Vlorës, Dumani konfirmoi ekzistencën e një procedimi penal, por nuk dha detaje për shkak të sekretit hetimor. Në ‘lupën’ e SPAK janë edhe projektet infrastrukturore, si aksi Thumanë-Kashar, tuneli i ‘Llogarasë’ si deh anijet Tigri 1 dhe Tigri 3. Dumani konfirmoi hetim për zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, por nuk u dha detaje për objektin e hetimit. SPAK po heton edhe shfrytëzimin e fondeve bujqësore të BE-së (IPARD II). Dumani theksoi se SPAK po punon në mënyrë të pavarur dhe se nuk do të ndalet për shkak të presioneve politike.
/ZËRI