TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka pezulluar me shumicë votash vendimin e GJKKO-së për pezullimin e Belinda Ballukut dhe e rikthen menjëherë në detyrë si zv/kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë deri në përfundimin e gjykimit, ndërsa masa për ndalimin jashtë vendit mbetet në fuqi. Ballukut i ndalohet dalja jashtë vendit për sa kohë do të jetë nën hetim dhe me statusin e të pandehurës nga SPAK. Ndërkohë, mësohet se po me shumicë votash, 5 gjyqtarë kanë votuar pro pranimit të kërkesës së Qeverisë, ndërsa 3 të tjerë kanë votuar kundër kalimit të çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike. Në shqyrtimin e çështjes në themel, proces që do të zhvillohet gjatë muajit janar, gjykata vendosi si datë 22 janarin 2026, ora 10:00, ku do të jenë të pranishëm SPAK, GJKKO-ja e Shkallës së Parë, Kuvendi i Shqipërisë dhe Presidenti i Republikës. Deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese mbi vendimin e GJKKO-së për pezullimin, Balluku mund të rikthehet si numri 2 i qeverisë.
/ZËRI