
TIRANË- Ruzhdije Çopja, gjyshja e vëllezërve Çopja duket se është një hallkat e rëndësishme të grupit për pastrimin e parave. Ruzhdije Çopja rezulton administratore e lokalit “Living Bar-Elbasan”. Po ashtu, një tjetër person i besuar për grupin është edhe Renato Bodurri, i cili ka disa biznese të regjistruara në emrin e tij. Gjyshja e dy vëllezërve, figuron në tatime e regjistruar si “Person Fizik” por faktikisht ajo administron pallate, apartamente, njësi tregtare, lokale, hotele, parkingje etj. Por edhe pse me biznes, në Qendrën e Regjistrimit të Biznesve, rezulton me "flamur të kuq", pasi nuk ka depozituar pasqyrat financiare raportuese, mbajtja e të cilave sipas ligjit është e detyrueshme. Në të njëjtin lokal, “Living Bar-Elbasan” Renato Budurri është regjistruar si banakier me pagë 300 mijë lekë të vjetra, kur në fakt është pronar zyrtar i një biznesi në Elbasan, por edhe një bujtine pranë liqenit në ish-komunën e Funarësit në Elbasan. Më 13 dhjetor 2022, Bashkia Elbasan i ka dhënë 2.1 hektarë park natyror zonë e mbrojtur në Funar, për ndërtime objektesh të tjera hoteleri, bar-kafe-restorante. Pasuri që në fakt dyshohet se është e vëllezërve Hajdar e Franc Çopja.