
TIRANË- Virusi ‘Ethet e Nilit’ është rikthyer pas 13 vitesh në vendin tonë. Një ditë më parë (5 gusht), ISHP raportoi se janë 17 të infektuar, 3 qytetarë kanë humbur jetën. Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë njoftoi se gjendja e të infektuarëve është stabël dhe në 24 orët e fundit nuk ka patur rate të reja me virusin e rrallë.
Por çfarë duhet të dimë për virusin e Nilit Perëndimor?
Infeksioni te njeriu është kryesisht rezultat i pickimeve nga mushkonjat e infektuara, të cilat infektohen kur ushqehen me zogj të infektuar. Virusi qëndron në natyrë nëpërmjet një cikli transmetimi mushkonja-zogj-mushkonja. Zogjtë janë rezervuarët bartës të virusit. Kuajt, njësoj si njerëzit, janë bartës që pavarësisht se ata infektohen, nuk e përhapin direkt infeksionin. Deri më sot, nuk ka ndodhur asnjë transmetim i virusit nga njeriu tek njeriu përmes kontaktit rastësor apo nëpërmjet mushkonjave, dhe nuk është raportuar asnjë transmetim i virusit të Nilit Perëndimor te punonjësit e kujdesit shëndetësor kur janë zbatuar masa parandaluese standarde të kontrollit të infeksionit.