
TIRANË- SPAK ka dalë në përfundimin se Edison Reçi, nipi i Kastriot Reçit ka organizuar vrasjen e Preng Gjinit me qëllim hakmarrjen. Ai ka ngritur një grup kriminal dhe ka rekrutuar persona të cilëve ju kishte premtuar një shumë të konsiderueshme parash në këmbim të vrasjes së Gjinit. Gjithashtu, sipas SPAK, Reçi ndihmohej nga Klodian Shahini, me detyrë me detyrë Shef i Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë, Lezhë, që i jepte informacion në lidhje me automjetet dhe hyrje-daljet e Gjinit.
Preng Gjini mbeti i plagosur pasi iu vendos një tritol në makinën e tij në zonën e ish-Nisharakut në Tiranë. Atentati erdhi për shkak të hakmarrjes zinxhir mes fiseve Gjini dhe Reçi. Preng Gjini ka qenë shoqëruar për vrasjen e Kastriot Reçit, që u ekzekutua me snajper në 27 janar të 2020. Në atë kohë, 5 vëllezërit e familjes Reçi, Tonin Reçi, Paulin Reçi, Martin Reçi, Alfred Reçi dhe Gjovalin Reçi kanë deklaruar para efektivëve të Policisë së Tiranës se nuk kanë gisht në atentatin me tritol që iu bë Preng Gjinit.