TIRANË- Ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili është marrë i pandehur nga SPAK në lidhje me hakerimin e sistemit kompjuterik të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme. Ismaili po hetohet për veprat ‘Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike’, 'Pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal' dhe 'Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal'. Gjatë muajit prill të 2025, oficerët e BKH-së morën një sinjal telefonik që tregonte se dikush kishte hyrë në mënyrë të paautorizuar në rrjetin e tyre. Ndër kompjuterët ku Arnold Rrokaj, i arrestuar për këtë ngjarje kishte akses, ishin edhe ato të prokurorëve Behar Dibra, Enkeleida Millonai dhe Elida Kaçkini. Materialet u shpërndanë te Zambak Gjonaj ish-zyrtar i burgut Vlorë dhe më pas te shokët dhe të njohurit e tij. Disa nga këto materiale kanë përfunduar në celularin e ish-kreut të burgjeve, Agim Ismaili, si dhe të Dritan Palnikaj, aktualisht sekretar në Ministrinë e Arsimit. Ismaili dhe Palnikaj kanë lidhje familjare mes tyre, daje dhe nip. Ndër materialet e komprometuara ka të dhëna që lidhen me dosjen e inceneratorëve dhe hetime të tjera që përfshijnë zyrtarë të profilit të lartë dhe grupe kriminale.
/ZËRI