
TIRANË- Fati i Ervis Martinajt është ende mister zyrtarisht, por Ministri i Brendshëm Taulant Balla, për herë të dytë, po jep sinjale të qarta se bosi i lojërave të fatit është vrarë. Përballë gazetarëve, Balla tha se çështja e Martinajt është prioritet për të dhe për Policinë e Shtetit, por pavarësisht se kanë shumë informacione, nuk kanë fakte për të dokumentuar asgjë që do ta zgjidhte misterin që ka hyrë në vitin e tij të dytë.
Edhe më 23 nëntor, ministri Balla tha se Policia e Shtetit kishte një pistë të rëndësishme dhe të besueshme për të zbuluar se çfarë ka ndodhur me biznesmenin Martinaj. Konkretisht, ai u shpreh se deri në momentin e konkludimeve nga ana e Policisë së Shtetit, qoftë për autorët, qoftë për vendin ku është kryer vepra penale do të heshtte, duke nënkuptuar qartë se krimi ka ndodhur dhe kjo gjë është e konfirmuar.
Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit të vitit 2022. Ai ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Edhe pse ka kaluar më shumë se një vit dhe afati 100 ditor i vendosur nga kryeministri Edi Rama për kryepolicin Muhamet Rrumbullaku, për zbardhjen e kësaj çështjeje, është tejkaluar, version zyrtar nuk po vjen.