
TIRANË- Fati i Ervis Martinajt është ende mister. Por për herë të dytë në daljen e tij publike, ministri i Brendshëm ka dhënë sinjalin e dytë se fati është 'vrasja'. Fillimisht, i pyetur nga gazetarët, Balla tha se çështja është prioritet për të dhe për Policinë e Shtetit, por pavarësisht se kanë shumë informacione nuk kanë fakte. Deri në këtë pikë, deklarata e tij nuk la shumë të kuptohej, por ajo që përcolli më pas, po.
Sipas ministrit, bossi i lojrave të fatit, është pjesë e një ngjarje të rëndë, që me një logjikë të thjeshtë është eliminimi i tij, duke rrëzuar tezën tjetër që është ngritur nga mediat dhe jo vetëm. Versioni tjetër që dita-ditës po rrëzohet është mundësia që Martinaj, për t'i shpëtuar drejtësisë ka stisur rrëmbimin dhe vrasjen e tij. Por ky version u rrëzua sot për herë të dytë nga ana e ministrit.
"Unë duke marrë detyrën, iu informoj se kjo çështja ka qenë një çështje e orëve të para. është një sfidë e pazgjidhur ende sa i përket referimit përfundimar në gjykatë. Policia ka shumë informacion për këtë çështje, por dokumentimi kërkon ende kohë dhe mund. Unë nuk do të bëj një informacion të plotë, por kur të kemi një pasqyrë të plotë mesi pres të dal para jush për të sqaruar publikun. Është një ngjarje e rëndë dhe e rëndësishme që ka të bëjë me indikatorët e punës së Policisë së Shtetit,"-tha Balla.
Më 23 nëntor, ministri i Brendshëm, Taulant Balla tha se Policia e Shtetit kishte një pistë të rëndësishme dhe të besueshme për të zbuluar se çfarë ka ndodhur me biznesmenin e lojrave të fatit, Ervis Martinajn. Por la të kuptohej diçka më shumë. Në fjalën e tij, në emisionin “Opinion”, ministri Balla tha se ka shumë informacione të reja por duheshin vërtetuar nëse ishte kryer vepër penale. Më pas, shtoi "nëse" ishte kryer një vepër penale.
Por ndër rreshta la të kuptohet se ka një vepër penale që është kryer. Edhe sot, bëri të njëjtën gjë./ZËRI