
TIRANË- Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani raportoi sot përpara Këshillit të Lartë të Prokurorisë që e ka konsideruar Kuvendin e prokurorëve dhe institucionin që ka qenë në krah të SPAK. Edhe në raportimin e sotëm, kreu i SPAK kërkoi që prokurorëve të posaçëm t'u jepet mundësia të rikandidojnë pas përfundimit të mandatit të tyre 9-vjeçar, bazuar dhe në performancën e tyre. Ai listoi dy alternativa, rikandidimi për një mandat të dytë në SPAK dhe atashimi pranë Apelit. Por po ashtu, theksin e vuri tek sfidat e SPAK dhe tha se janë realizuar 3 marrëveshje bashkëpunimi gjatë vitit 2024. Kryetari i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, është shprehur se ka pasur kërcënime nga krimi i organizuar për disa prokurorë dhe agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Por shtoi se nuk janë mundur, madje as nga presioni i bërë nga aktorët politikë.
Ai tha gjithashtu se ka një ulje të referimeve nga institucionet publike në SPAK, por që sipas tij, kjo nuk tregon uljen e besueshmërisë së këtij institucioni. Ndër institucionet që ka ulje të raportimeve, Dumani listoi edhe Policinë e Shtetit. Dumani u shpreh gjithashtu se ekstradimet e shqiptarëve të dënuar, hetuar apo akuzuar në vende të tjera duhet të jenë kompetencë e SPAK, për sa kohë personat në fjalë akuzohen për vepra penale që hetohen nga ky institucion. Kreu i SPAK tha gjithashtu se do të kishin të nevojshëm këshilltarët ligjorë si dhe shtimin e numrit të prokurorëve që do tu vinin në ndihmë me ecurinë e hetimeve. Përsa u përket dosjeve të mbartura, Dumani u shpreh se kjo gjë ndodh edhe për shkak se procedura përpara seancës paraprake zgjat më shumë se 1 muaj, siç edhe është parashikuar. Kreu i Prokurorisë së Posaçme foli dhe për masat e sigurimit dhe theksoi se janë me standart ndërkombëtar. Në fund, theksoi se kanë nisur edhe hetimet për krimin zgjedhor pas disa denoncimeve që janë bërë./ZËRI