
SHKODËR- Pavarësisht dorëheqjes së Marina Duhanit nga posti i kryetares së Këshillit të qarkut në Shkodër, aleanca mes PS-së dhe PSD-së në këshillin bashkiak për momentin qëndron e paprekur. Dorëheqja e Duhanit u shoqërua dhe me largimin e tre drejtorëve të tjerë rajonalë të zgjedhur nga radhët e PSD, ç’ka u shoqërua me dyshime se mund të kishte një krisje të marrëveshjes mes dy partive dhe në këshillin bashkiak. Mirëpo, kjo gjë nuk ka ndodhur gjë që u faktua nga votimi në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, ku këshilltarët e Tom Doshit bashkuan votat me socialistët për disa vendime të rëndësishme, që kishin të bënin me hapësirat publike në Shkodër. Me shumicën e votave në Këshillin Bashkiak është vendosur që 35% e hapësirës në Velipojë të ketë plazh publik në sezonin e ardhshëm. Ndërkohë që ndihma ekonomike dhe rastet e fatkeqësisë nga zjarri kanë marrë po ashtu mbështetje financiare nga ana e këshilltarëve të bashkisë Shkodër.