
TIRANË- Ymer Marku kërkohet nga Prokuroria e Tiranës për t'u vendosur në pranga, pasi akuzohet se ka tjetërsuar 7500 metra katrorë tokë në Bërxullë, e cila është shitur për 10 milionë lekë të reja tek kompania e nipit të Sadri Abazit, Arbër Abazi. Por Prokuroria nuk ka arritur që ta lokalizojë ish-kryekomunarin e Bërxullës. Ish-kandidati i Lulzim Bashës në zgjedhjet e Vorës, nuk është parë më në publik që në mars të vitit 2022. Edhe në rrjetet e tij sociale është zhdukur. Ymer Marku, nuk e ka abuzimin e parë këtë të tjetërsimit të 7500 metër katrorë tokë.
Ai është një personazh i njohur për lidhjet me krimin, të cilit së fundi me urdhër të SPAK i janë sekuestruar një sërë pasurish. Por pavarësisht kësaj, Marku kandidoi nën siglën e PD-së në vitin 2022, ndërkohë që vetë Lulzim Basha do të shfaqej krah tij për të kërkuar vota. Edhe më herët, ZËRI e sjell rastin e Markut, duke evidentuar faktin se Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, Marku nuk ka arritur të justifikojë burimin e krijimit të pasurive së tij. Sipas këtij institucioni janë pesë objekte pasurore që nuk janë deklaruar saktë nga Marku dhe që kapin vlerën e 22 milionë e 656 mijë lekëve.