
TIRANË- Edevaldo Haxhiu, 39 vjeç, shoferi i kreut të Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, u arrestua pasi në makinë iu gjet një pistoletë me krehër e municion luftarak. Emri i tij nuk është i panjohur për autoritetet dhe për mediat. Edevaldo Haxhiu është lakuar si njeriu që ka strehuar në Shqipëri bosin turk të kriptomonedhave, Faruk Ozer, i cili tashmë po përballet me drejtësinë në Turqi, pasi është esktraduar. Haxhiu u vu në pranga në vitin 2021 për këtë çështje. Fotoja e tij u publikua në faqet e para të mediave turke në atë kohë, por ai i hodhi poshtë akuzat e ngritura ndaj tij dhe gjatë seancës së marrjes në pyetje është shprehur se nuk e njihte Fatih Ozerin dhe nuk e kishte ndihmuar të arratisej. Megjithatë, policia kishte shumë dëshmi se Haxhiu ishte personi që e kishte pritur në aeroport Ozerin. Pasi u përball me këto dëshmi, Edevaldo Haxhiu pranoi se e kishte pritur turkun e shumëkërkuar në aeroportin “Nënë Tereza”, pasi e kishte porosi nga një person tjetër me emrin Murat, por që atij nuk ia kishte prezantuar me me identitetin e vërtetë, por me emrin Erkan. Top Channel raportonte në atë kohë se në përgjimet e detajuara, Haxhiut i shkroi një mik që e paralajmëronte përmes një mesazhi ku thuhej: Je tu marr veten në qafë për kokë të kalamajve!
TRT Haber nga ana tjetër shkruante se ndihmësi i Ozer ishte Altjan Canaj, i cili kishte dëshmuar më pas duke pranuar se e kishin ndihmuar Faruk Fatih Özer me Edevaldo Haxhiun, për të cilin shprehej se ishte truri kryesor në arratisje. Në shtator të vitit 2021, Gjykata zbuti masën e sigurisë dhe Edevaldo Haxhiu u lirua. Faruk Fatih Özer, u arratis nga Turqia dhe u strehua në Shqipëri. Autoritetet turke nisën një hetim pas një raporti se përdoruesit nuk mund të hynin në llogaritë e tyre të Thodex dhe se pronari i kompanisë ishte larguar jashtë vendit. Në vitin 2017 Faruk Ozer krijoi bursën Thodex, në të cilën krijuan llogari rreth 400 mijë qytetarë, kryesisht turq që investuan rreth 2.7 miliardë dollarë. Por, kur qytetarë të ndryshëm nuk patën më akses në llogaritë e tyre, ngritën padi për themeluesin e Thodex. Në një reagim në Twitter (aktualisht X), ai tha se gjithçka kishte të bënte të bënim me një problem teknik, por situata nuk mori kurrë zgjidhje ndaj dhe Ozer u shpall në kërkim. Faruk Ozer u arrestua në Shqipëri në Gusht të vitit 2022. Policia e Elbasanit kishte marrë informacione se Faruk Ozer fshihej në Elbasan. Por, ata nuk ndërhynë dhe e mbajtën nën vëzhgim, deri në momentin që Ozer u shpërngul për pushime në Palasë. Në pikun e sezonit turistik, në një nga vilat luksoze të kësaj zone, 28-vjeçari u vu në pranga nga Forcat Operacionale. Bashkë me të u arrestua edhe Edevaldo Haxhiu, që deklaronte më herët se nuk e njihte Ozerin dhe një person i tretë, Briken Shkëmbi. Ai u ekstradua në Turqi dhe u dënua me 11,196 vjet burg. Tashmë Haxhiu është vënë sërish në pranga dhe pse fuqia e autoriteteve mbi të duket se nuk ka qenë shumë e fortë. Tre herë i arrestuar brenda tre viteve!