
TIRANË- Emri i Indrit Aliut, i njohur dhe me mbiemrin Kolleshi është rikthyer në qendër të vëmendjes pasi ministri shqiptar në Malin e Zi, Marash Dukaj, u kërcënuar nga mafiozi turk Binali Camgoz, përmes anëtarëve të klanit kriminal të Kavaçit. I njohur si një nga mashtruesit më të mëdhenj, Aliu bëri bujë kur u arrestua në nëntor të vitit 2009 në Greqi, pasi ishte shpallur në kërkim pas dhjetëra kallëzimeve në emër të tij në Prokurorinë e Tiranës nga biznesmenë të ndryshëm, të cilëve ai u kishte “zhvatur” 4 milion euro. Më pas u ekstradua drejt Shqipërisë ku dhe u dënua me 15 vite burg, por vuajti vetëm 10 për shkak të gjykimit me kohë të shkurtuar.
Aliu prezantohej para biznesmenëve të ndryshëm si përfaqësues i shoqërisë “Dejs&Partners Consulting”, ku ishte ortaku i vetëm. Kjo shoqëri kishte si objekt “konsulenca juridike dhe fiskale për individët dhe shoqëritë tregtare, si dhe te gjitha aktivitetet që lidhen me fushën e ndërtimit”, të cilën ua ofronte sipërmarrjeve të ndryshme me kontrata për kryerjen e punimeve ndërtimore në Shqipëri.
Në momentin që merrte pagesat, ai zhduket. Për tu dukur më i besueshëm, Aliu shumë herë ishte shfaqur dhe në shumë programe televizive, të cilat i kishte sponsorizuar emisione dhe prezantohej si një person me në institucionet shtetërore. Madje në zyrë mbante dhe foto me figura të njohura publike. Por, edhe pas daljes nga burgu, Aliu vijoi të njëjtin aktivitet dhe në gusht të vitit që lamë pas u arrestua sërish pas denoncimit të një biznesmeni, i cili kuptoi se ishte mashtruar. Këtij të fundit i kishte premtuar një tender në Ministrinë e Infrastrukturës, në aktivitetin e minierave të ndërtimit. Paralelisht, mashtruesi shqiptar kishte ngritur të njëjtin profil dhe në Malin e Zi ku kishte arritur të krijonte dhe miqësi me ministra.
Ky ishte dhe rasti i njohjes me ministrin Marash Dukaj, gjatë kohës që ai ishte pjesë e kabinetit të kryeministrit shqiptar, Dritan Abazoviç. Në momentin që Dukaj mori kërcënimin nga anëtari i mafias turke, u thirr për tu marrë në pyetje në prokurori, ku dhe përmendi emrin e Aliut, i cili i ishte prezantuar si Indrit Kolleshi. Dukaj deklaroi se nuk i kishte premtuar azil politik Binali Camgoz që njihet dhe me emrin Mehmet Ali Bayhan, por shtoi se këtë mund ta kishte bërë miku i tij, duke zbuluar kështu shtritjen e aktivitetit dhe përej Shqipërisë.