
TIRANË- Me dhjetëra denoncime kanë mbushur inbox-in e ZËRI-t që prej 26 shkurtit, ditë kur ne publikuam edhe dokumentarin tonë të parë, NARCO TAXI, një prodhim që ka thyer rekord shikueshmërie në rrjetet sociale. Qytetarë të shumtë, ngrenë dyshime sesi mundet që edhe përballë këtyre pamjeve që u transmetuan me zë dhe figurë, reagimi i Policisë ka qenë zero. U deshën 10 ditë, që Policia Rrugore të ndërmerrte një aksion për gjetjen e taksive të palicensuara nga këto kompani. A thua se do të ishte shumë e vështirë të gjenden këto taksi, kur targa e bardhë dallon qartësisht nga e verdha dhe do të mjaftojnë 2 orë për të bërë heqjen e paligjshmërisë që kalon në çdo rrugë e çdo kryqëzim të vendit. Por siç kemi thënë edhe më parë, ne e dinim. E dinim çfarë do të ndodhte me këtë publikim që në momentin që ne vendosëm të merreshim me këtë fenomen dhe ta nxirrnim nga skuta për t’ja treguar të gjithë shqiptarëve.
Pasigurinë që përballemi e nga e cila rrezikojmë jetën çdo ditë. Në fakt, janë vetë qytetarët ata që akuzojnë institucionet që do të duhet të bënin hetimin e kompanive Blue, Lux, King dhe Smart Taxi, se janë të lidhur me ta. Denoncimet përfshijnë bllokimin e rrugës nga kompania Blue Taxi te rruga e Ish-Parkut të Autobusave, atje ku dhjetra banorë nuk kanë mundësi as të ngrejnë zërin, sepse të gjithëpushtetshmit janë në terren. Të tjerë qytetarë flasin për lidhjet e një shefi Komisariati në Tiranë, me kompaninë Lux Taxi dhe sesi policia i ka duart e lidhura për të kontrolluar këto kompani, pasi Lux ka bllokuar parkingun e zonës për të karikuar automjetet elektrike që ka vendosur në terren.
Ndiqni materialin e përgatitur nga ZËRI: