
TIRANË- Një skemë zhvatje duket se ka zënë vend në fushën e blertë të futbollit shqiptar, ku e ardhmja për t'u bërë futbollist duhet të kalojë në dyert e klinikës "Wellness Albania Clinic", e cila është në pronësi të mjekes imazheriste të Federatës Shqiptare të futbollit. Akademitë e futbollit, i drejtojnë fëmijët që ndjekin ëndrrën sportive të paraqiten në klinikën mjekësore "Wellness Albania Clinic", për të marrë një karton që tregon për gjendjen shëndetësore të të ekzaminuarit kundrejt shumës 100 euro.
Skema çon Federatën shqiptare të Futbollit në një konflikt të hapur interesi me kreun e saj, Armand Dukën. Klinika "Wellness Albania" është kamufluar me kompaninë Qendra e Mjekësisë së Punës, me nipt me administrator Elvis Sina, bashkëshorti i Albana Sinës. Bazuar në të dhënat e "Open Corporates", klinika rezulon në pronësi indirekte të Arjana Sinës, e cila ka 70% të aksioneve përmes "Qendra e Mjekësisë së Punës".
Por ka diçka të paqartë!
Përse është zgjedhur Sina që të nxjerrë kartelat e adoleshentëve që duan të përfshihen në botën e sportit? Për shkak se është pjesë e FSHF? Përse ekzaminimet nuk mund të zhvillohen në ambientet e Akademisë, ashtu siç ndodh në mbarë botën ku kontrollet shëndetësore merren nga klubi? Çfarë ekzaminimesh i kryehen këtyre adoleshentëve që kushtojnë 100 euro? Sa është kostoja reale? Përse nuk ka ndërhyrë Federata për të ndalur këtë konflikt interesi?/ZËRI