
TIRANË- Një bashkëpunim disa vjeçar, një ‘hile’ apo një ‘prishje në pazar’ ka shkaktuar një viktimë! Alfred Dedja rreth 50 vjeç, ka mbetur i vrarë në një lokal të njohur në zonën e Ndroqit. Dedja ishte ulur me një grup miqsh të tij, në momentin që autori i ngjarjes, Julian Gjoshi, është futur brenda lokalit. Viktima, i cili e njihte 27-vjeçarin prej vitesh, është ngritur për ta përqafuar, por Gjoshi ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar me dy plumba, duke e lënë të vdekur në vend. Dedja ishte gjithashtu i armatosur, por nuk ka arritur që ta përdorte pistoletën e tij.
Pas krimit, Gjoshi është larguar në drejtim të Shijakut me një mjet “Mercedes Benz”, të tipit “ML” dhe ende nuk është kapur nga policia. Trupi i Dedjas është nxjerrë nga lokali me çarçaf të bardhë dhe pritet t’i nënshtrohet autopsisë, por kjo ngjarje ka lënë pas pikëpyetje të shumta dhe qytetarë të tmerruar nga skena e vrasjes që panë. Dedja dhe Gjoshi njiheshin familjarisht me njëri-tjetrin. Dedja, siç edhe bëhet me dije e ndante jetën mes Shqipërisë dhe Italisë. Në Shqipëri, ai kishte një shtëpi në zonën e Ndroqit, ku edhe u vra, ndërsa në Itali dyshohet se është përfshirë në trafikun e drogës. Megjithatë, nga raportimet bëhet me dije se Dedja, shumë vite më parë ka punuar në kompleksin “Golden” që është në pronësi të Altin Hajrit, kunatit të Gjoshit. Në të njëjtin kompleks është marrë peng dhe vrarë Jani Prenga, trupi i të cilit nuk është gjetur ende, por për këtë ngjarje, është ende në kërkim Altin Hajri.
Aty Dedja ka qenë menaxher, por gjithashtu është përfshirë edhe në ‘punë’ të tjera me vëllezërit Hajri, si trafikun e drogës, lojërat e fatit dhe lotot. Ajo që nuk dihet është se çfarë e ka krisur këtë bashkëpunim që solli vrasjen e 50-vjeçarit. Ky mister mbetet të zbardhet nga ana e autoriteteve. Nga ana tjetër, emri i Gjoshit nuk është i panjohur për Policinë e Shtetit.
Gjoshi është një person me precedent penalë dhe emri i tij është lakuar në bisedat mes Hajrit dhe ish-deputetit të Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja, në momentin që u vu në pranga në vitin 2021. Julian Gjoshi u vu në pranga më 19 janar të vitit 2021 teksa qarkullonte me makinë me armë zjarri në bulevardin “Gjergj Fishta” në Tiranë. Poshtë sediljes iu gjet një armë zjarri tip “Beretta” dhe 10 fishekë të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në këtë moment, arrestimi i kunatit, e vuri në lëvizje Altin Hajrin, dhe kontaktoi ish-deputetin e Partisë Socialiste Jurgis Çyrbja, i cili është arrestuar, dhe i kërkoi ta ndihmojë me qëllim lirimin e kunatit.