
TIRANË- Policia e Shtetit po ushtron kontrolle në zonën e Durrësit, Tiranës dhe Shijakut me qëllim kapjen e Julian Gjoshit, 27-vjeçarit që ekzekutoi me armë zjarri Alfred Dedjan. Kontrolle janë ushtruar në banesa të miqve e familjarëve të Gjoshit, ku dhe dyshohet se ai mund të jetë fshehur. Megjithatë, deri më tani nuk ka pasur asnjë rezultat nga këto kontrolle dhe nuk ka asnjë gjurmë të Gjoshit, por automjeti tip “Mercedes Benz” të llojit ‘ML’ me të cilin ai u largua nga vendi i krimit, është gjetur tek Shkëmbi i Kavajës. Arma e krimit nuk është gjetur brenda makinës. Në total janë marrë në pyetje 20 persona, miq e familjarë të autorit dhe viktimës. Ata kanë mohuar të kenë dijeni në lidhje me konflikte mes tyre. Në pyetje është marrë edhe personi që ka qenë në tavolinë me Gjoshin, i cili ka shpjeguar dhe dinamikën e ngjarjes, por është shprehur se nuk ka asnjë dijeni për konfliktet mes tyre që çuan deri në vrasjen e 50-vjeçarit. Dedja ka punuar si menaxher në kompleksin “Golden” që është në pronësi të Altin Hajrit, kunatit të Julian Gjoshit, vend ku u mor peng dhe u vra Jani Prenga. Gjithashtu, siç është raportuar, Dedja ka punuar me Hajrin e Gjoshin edhe në fushën e lojërave të fatit, kryesisht të lotove. Nuk dihet ende se çfarë e ka krisur këtë bashkëpunim që çoi në ekzekutimin e 50-vjeçarit.