Video

“Nuk doja t’i bija shkurt”/ Një rrëfim nga Mira Kazhani për librin që i ndryshoi jetën

Me librin “Një ditë tjetër”, ajo vjen përpara lexuesve jo si gazetare, por si një grua që është përballur me një lajm jo shumë të këndshëm: diagnozën e kancerit të gjirit.

Loreta Koleci
“Nuk doja t’i bija shkurt”/ Një rrëfim nga Mira
mira kazhani

TIRANË- Në Panairin e Librit 2025 mes zërave të autorëve të njohur dhe botimeve të reja, spikat rrëfimi i sinqertë dhe tronditës i gazetares Mira Kazhani. Me librin “Një ditë tjetër”, ajo vjen përpara lexuesve jo si gazetare, por si një grua që është përballur me një lajm jo shumë të këndshëm: diagnozën e kancerit të gjirit. Në këtë libër, Kazhani zgjedh të ndajë pa dorashka përvojën e saj personale, frikën, luftën, shpresën dhe ringritjen, duke e kthyer historinë e vet në një dëshmi të fuqishme për jetën. ZËRI zgjodhi të shkonte pranë stendës ku ndodhej Mira për të zbuluar pak më shumë se si pritur lexuesit këtë rrëfim të ndjerë dhe të vërtetë.

“Një ditë tjetër”, një rrëfim i guximshëm për jetën tuaj, që nuk ngelet thjesht një rrëfim por një shtysë e madhe për këdo që përballet me sfida të vështira në jetë. Do të donim të dinim se si e kanë pritur lexuesit këtë libër?

“Faleminderit shumë që keni ardhur tek stenda. E vërteta është që lexuesit e kanë pritur siç ndoshta unë nuk e kam pritur, autorja e librit. Jam nisur për të shkruar një libër të nevojshëm, një libër që e pashë si dëshmi personale në fillim dhe më vonë gjatë rrugës ndoshta doli ëndrra ime e vjetër, letërsia. Një realitet që është i veshur me letërsi, por është një e vërtetë. Lexuesit e kanë pritur, siç ta thashë, siç mua nuk do më shkonte në mendje dhe as nuk e kisha ëndërruar këtë që po më shohin sytë. Jam shumë e lumtur, ndihem shumë e shpërblyer dhe e vlerësoj shumë, por ndoshta kjo puna e të vërtetës ka gjithmonë vend për të dhe njerëzit e kuptojnë përherë.”- shprehet për ZËRIN Kazhani.

A ka ndonjë sekret të pathënë Mira Kazhani në këtë rrëfim?

“Për atë që kam thënë aty besoj ka qenë diçka e plotë. Mund të kem evituar që të lëndoj dikë apo të mos them dialogun me mamin, se kam dashur të mbetet një gjë private mes meje dhe asaj, se ka shumë që më kanë pyetur pse unë them që po shkoj për t’ia rrëfyer asaj dhe nuk e tregoj bisedën, dhe mendoj që na takonte mua dhe asaj dhe jo publikut. Por nuk besoj, e kam rrëfyer fije për pe atë që kam përjetuar, ndoshta e kam thënë vazhdimisht dhe po e përsëris për shkak se nuk kam pasur përvojë si shkrimtare dhe nuk po bëja shkrimtaren në fakt. Ishte një gazetare që po rrëfente përvojën si paciente por edhe si grua, jo vetëm me sëmundjen por edhe me jetën. Dhe unë dua ta them që libri ka marrë vërtet shkak nga sëmundja, por është një libër që i dedikohet jetës.”- rrëfen me sinqeritet gazetarja.

Duke qenë se jemi në kohën e rrjeteve sociale dhe platformave online ku gëlon informacioni, cila është gjëja më e pazëvendësueshme që ka libri sot?

“Sepse libri mbetet, është aty përgjithmonë. Unë e dua online-in sepse unë jam gazetare online dhe kam një podcast që e kam në Youtube dhe besoj që teknologjia më ka dhënë mua mundësinë që të shpreh mundësitë e mia dhe të bëj punën time më mirë dhe kështu që gjithmonë do ta mbroj, Loreta unë e mendova mirë. Mund ta thoja këtë si një histori në podcast por unë e di, online pas tre ditësh harrohesh dhe në një moment je viral, por pastaj vjen një histori tjetër. Doja të shkruaja një libër që mbetej aty dhe kjo është e bukura. Më vjen shumë mirë që njerëzit kanë interes për librin, shqiptarët kanë interes për librin, është edhe slogani i Panairit këtë vit me shprehjen e Ismail Kadaresë që thotë se: ‘Ndërgjegjia e shqiptarëve ka nevojë për librat.’ Nuk e dija që do ishte slogani këtë vit ky por historia ime mendova që pat nevojë për një libër. Nuk doja që t’i bija shkurt, doja ta tregoja ashtu siç e kisha jetuar.”- shprehet Mira Kazhani./ZËRI

Poll

MOS HUMB