VELIPOJË- “Nuk jena t'u e lëshu këtë tokë pa vdek!” Kjo fjali, e thënë nga një i mitur në mes të protestës, ka përmbledhur tensionin që prej javësh po ndodh në zonën e Rrjollit në Velipojë. Në qendër të konfliktit është projekti "Blue Borgo Resort", i cili do të ndërtohet nga kompania "Gener 2", në pronësi të biznesmenit Bashkim Ulaj.
Projekti mori dritën jeshile më 17 dhjetor 2024, kur Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejen për ndërtimin e një fshati turistik në kufirin mes Ranës së Hedhun dhe Bask Rrjollit. Vetëm dy javë më vonë, më 31 dhjetor 2024, biznesmeni Bashkim Ulaj, së bashku me dy vëllezërit e tij, Astrit dhe Ahmet Ulaj, morën statusin e veçantë "Investitor me strukturë akomoduese me 5 yje, status special" për ndërtimin e resortit turistik "Blue Borgo" në bregdetin e Velipojës.
Kompania "Gener 2" mori licencë zbatimi për projektin më 16 shtator të vitit 2025, një vendim i bërë publik në Nëntor të vitit 2025 nga Ministria e Energjetikës dhe Infrastrukturës. Sipas dokumenteve zyrtare, investimi ka vlerën e afro 26.8 miliardë lekëve dhe shtrihet në një sipërfaqe prej 147.2 hektarësh. Projekti parashikon ndërtimin e një kompleksi turistik të integruar, me njësi akomoduese 5 yje, vila rezidenciale me oborre të brendshme, hapësira rekreative, infrastrukturë të brendshme dhe shërbime turistike. Koncepti është ai i një fshati turistik elitar, i orientuar drejt tregut ndërkombëtar dhe turizmit me standard të lartë.
Rrjolli ishte shpallur më parë dhe zonë e mbrojtur, por si ndryshoi më pas?
Zona ku po ndërtohet ishte më parë pjesë e zonave të mbrojtura bregdetare, specifikisht nën zona 1B e peizazhit të mbrojtur Bunë-Velipojë. Një vendim i datës 2/11/2005, në nenin 1 të tij, e shpall këtë zonë natyrore veçanërisht të mbrojtur, përfshirë në listën e Konventës Ramsar. Por me ndryshimin në ligjin e zonave të mbrojtura në vitin 2024, u prezantua koncepti i "turizmit të shkëlqyer", që lejon struktura akomoduese me standarde të larta edhe brenda zonave të mbrojtura.
Një vendim tjetër, në datë 25/09/2024, i hapi rrugën ndërtimit në këtë zonë, ku në pikën 8 përcaktohet: “Përjashtimisht, për projekte që lidhen me veprimtari të lejuara, të parashikuara në pikën 4 të këtij vendimi, për të cilat nevojitet miratimi nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Uji, organet përgjegjëse, në vijim të vendimmarrjes së KKT-së dhe në përputhje me të, hartojnë dhe nënshkruajnë me subjektin zhvillues marrëveshjen përkatëse që parashikon rregulla për përdorimin e zonës së mbrojtur, ku bën pjesë projekti i miratuar nga KKT-ja, në përputhje me legjislacionin në fuqi.”
Ndërsa në nenin 11 të këtij vendimi, shfuqizohet tërësisht vendimi i Këshillit të Ministrave i vitit 2005, për shpalljen e lumit Buna dhe territoreve ligatinore përreth tij, peizazh ujor tokësor i mbrojtur.
Por ndërsa në dokumente projekti paraqitet si një hap i madh drejt zhvillimit të turizmit në veri të vendit, në terren situata është krejt ndryshe. Banorët e Rrjollit pretendojnë se toka mbi të cilën po ndërtohet është pronë e tyre private, e trashëguar që nga viti 1927. Ata hedhin akuza për falsifikim ndaj ish-funksionarit të LSI-së dhe ish-drejtorit të hipotekës së Malësisë së Madhe, Fatmir Shpellzaj.
Banorët shprehen se nuk do të ndalen dhe se do të mbrojnë me gjak pronën e tyre. Për këtë arsye ata kanë depozituar kallëzim në SPAK, duke kërkuar hetim për falsifikimin dhe tjetërsimin e pronës së tyre. Në mars 2025, SPAK shpalli moskompetencë dhe e kaloi çështjen në Prokurorinë e Shkodrës.
Ky vendim u prit me zhgënjim nga banorët, të cilët protestuan më 5 shkurt të këtij viti para ambienteve të SPAK në Tiranë, duke kërkuar një hetim të thelluar. Që prej 2 shkurtit, kur kompania ktheu mjetet e rënda në zonë, tensionet janë rritur. Banorët kanë bllokuar rrugën Shëngjin- Velipojë dhe janë përplasur me forcat e policisë, ndërsa dhjetëra persona janë shoqëruar në komisariat. Për komunitetin lokal, kjo është një betejë për mbijetesë dhe dinjitet.
Pas gjithë kësaj situate, reagim pati dhe nga kompania "Gener 2". Në një deklaratë publike, "Gener 2" ka theksuar se projekti është në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe se nuk është cënuar asnjë e drejtë pronësie. Sipas kompanisë, të gjitha procedurat janë ndjekur sipas kuadrit ligjor për investimet strategjike dhe se punimet do të vazhdojnë në afatet e parashikuara. Gjithashtu, kompania nuk ka pranuar pretendimet për falsifikim dokumentesh.
Dimensioni mjedisor është një tjetër element që shton debat. Rana e Hedhun dhe Rrjolli konsiderohen zona me ekosistem të ndjeshëm dhe biodiversitet të lartë. Ekspertët e mjedisit kanë ngritur shqetësime për ndikimin që mund të ketë një ndërtim masiv mbi stabilitetin e dunave, burimeve ujore dhe habitateve natyrore.
E ardhmja e këtij konflikti do të varet nga vendimet e drejtësisë dhe transparencës institucionale. Ndërkohë, protestat vazhdojnë së bashku me punimet. Për banorët kjo është një betejë për tokën, që sipas tyre, ju përket brez pas brezi. Dhe fjalia e të miturit vazhdon të jehojë si një deklaratë që përmbledh të gjithë dramën e këtij konflikti: "Nuk jena t'u e lëshu tokën pa vdek"./ZËRI