
TIRANË- Qytetarët që po paguanin kreditë e tyre të prapambetura pranë Micro Credit Albania dhe Final janë ende të paqartë për mënyrën se si do të veprohet me pagesat e tyre, tashmë që këto dy institucione nuk do të operojnë në Shqipëri. Bëhet fjalë për gati 33 mijë qytetarë dosjet e të cilave janë duke u shqyrtuar nga Banka e Shqipërisë. Banka e Shqipërisë njoftoi të gjithë qytetarët që kishin marrë kredi tek këto dy institucione, që të paraqiteshin dhe të plotësonin një formular ankese. Më pas, sipas Bankës së Shqipërisë, kreditë do të ristrukturohen dhe do të paguhen në bankat e nivelit të dytë, ku qytetarët i kanë tërhequr ato fillimisht. Ankesa e qytetarëve mund të dërgohen në adresën e emailit [email protected], ku përfshihen të dhënat e qytetarëve, zyrën me të cilën kanë lidhur marrëveshje për të paguar paratë dhe objektin e ankesës së tyre. Megjithatë, kredimarrësit pyesin në rrjetet sociale të ZËRI-t, për afatet dhe çfarë do të ndodhë me rritjen e kamatvonesave dhe borxhit. Aktualisht, janë afro 3500 kontrata kredish, që janë blerë të gjitha si hua të këqija pranë sektorit bankar nga MCA dhe Final, të cilat presin përgjigje në një proces që duket se do të marrë kohë.