Video

PROFIL- Fatkeqësi, debate dhe akuza/ Kush është Vangjel Tavo

Edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 dhe 2017, Tavo u zgjodh deputet në qarkun e Gjirokastrës. Ai kandidoi edhe më 25 prill 2021, por nuk mundi të fitonte mandatin si deputet. Në atë kohë hodhi akuza kundrejt kryeministrit Edi Rama, teksa u shpreh se ka garuar në kushte jo të barabarta për shkak të blerjes së votave.

F.m
PROFIL- Fatkeqësi, debate dhe akuza/ Kush është Vangjel Tavo
Vangjel Tavo dhe vajza e tij e ndjerë, Eva

TIRANË- Vangjel Tavo do të jetë kryebashkiaku i Himarës për 3 vitet e mbetura, deri në zgjedhjet e ardhshme lokale, duke u rikthyer edhe njëherë si një faktor i rëndësishëm për socialistët, pas një shkëputjeje nga politika.

Tavo ka lindur në një fshat afër Gjirokastrës, më 17 dhjetor 1969 dhe zona e tij elektorale më mbështetëse në votime njihet ajo e Dropullit. Tavo ka mbaruar me rezultate të larta në degën e Mjekësisë, kurse më pas u specializua për Gjinekologji. Angazhimi i tij i parë në politikë ishte me Partinë Socialiste që prej vitit 1996 në Gjirokastër krahas kryesocialistit Fatos Nano, por u largua së bashku me Ilir Metën kur u krijua Lëvizja Socialiste për Integrim.

Me LSI, jo vetëm mori mandat deputeti, por gjatë viteve 2012-2013 shërbeu edhe si Ministër i Shëndetësisë, duke zëvendësuar Petrit Vasilin. Edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 dhe 2017, Tavo u zgjodh deputet në qarkun e Gjirokastrës. Ai kandidoi edhe më 25 prill 2021, por nuk mundi të fitonte mandatin si deputet. Në atë kohë hodhi akuza kundrejt kryeministrit Edi Rama, teksa u shpreh se ka garuar në kushte jo të barabarta për shkak të blerjes së votave.

Më 8 prill 2021, gjatë fushatës elektorale, kur Edi Rama përuroi rikonstruksionin e Kishës së Shën Marisë në Dropull, Vangjel Tavo në atë kohë deputet i LSI-së, sulmoi Edi Ramën dhe e konsideroi të paudhë e të pafe.
Nuk mungoi edhe një koment nga kreu i qeverisë, i cili e quajti ‘Vangjo tepsixhiu i baba Likes dhe doktore Monës’.
LSI-në, zyrtarisht e la në vitin 2022.

Tavo ka pasur dhe një influencë në minoritetin grek, që u vu re kur doli publikisht kundër vrasjes së ekstremistit grek në Bularat.

Emri i tij nisi të përflitej nga mediat greke që raportuan se 3 ishin emrat që Rama po i mendonte për Himarën. Mes tyre edhe Vangjel Tavo, që në mars të këtij viti ishte përzgjedhur nga kryeministri Edi Rama si prefekt i qarkut të Vlorës.
Në një prononcim për ZËRI, asokohe ish-deputeti Tavo e mohoi lajmin, por kjo gjë u konfirmua më vonë. Kandidimin e tij nën siglën e PS, e komentoi edhe Ilir Meta. I pyetur nga gazetarët gjatë një konference për mediat nëse do e shkarkonte Vangjel Tavon nga funksionet e tij në strukturat e Partisë së Lirisë, Meta nuk dha një përgjigje konkrete, por nuk e kurseu ironinë.

Megjithatë pavarësisht gjithçkaje, ai zgjodhi që të rikthehej në politikë, kësaj here larg vendlindjes së tij, Gjirokastrës, por sërish pranë minoritetit grek.

Më 4 qershor, ai është paraqitur në SPAK për tu marrë në pyetje për një kallëzim të bërë në vitin 2021.

Vangjel Tavo ka pësuar humbje të mëdha në familjen e tij. Vetëm pak muaj më parë, një aksident tragjik në Maqedoninë e Veriut, i mori jetën vajzës së tij, Evës, vetëm 24 vjeçe. Disa vite më parë, ai ka humbur bashkëshorten, por ka lidhur kurorë me një tjetër grua dhe është bërë sërish prind i një tjetër vajze, me të cilën shkoi dhe të votonte një ditë më parë.

Poll

MOS HUMB