TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme ka përfunduar verifikimin për gjyqtaren e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Irena Gjoka, lidhur me deklarimet e saj në Formularin e Vetëdeklarimit të datës 22 prill 2016. Pas kryerjes së të gjitha verifikimeve të mundshme brenda dhe jashtë vendit, Prokuroria ka miratuar rezultatet e procesit të verifikimit dhe ka përcjellë vendimin në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Verifikimi i vetëdeklarimeve të Irena Gjokës, u zhvillua mbi bazën e kërkesës së Komisionit të Zhvillimit të Karrierës në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe pretendimeve se Gjoka kishte fshehur probleme nga e kaluara në shtetin grek. Sakaq, Prokuroria i ka kërkuar KLGJ-së që të vlerësojnë nëse “është apo jo në kushtet e ndalimit për të marrë posti ne gjyqtares sipas parashikimeve të ligjit të dekriminalizimit”. Gjoka aktualisht është gjyqtare në procesin ndaj ish-presidentit Ilir Meta, ndërsa ka qenë gjithashtu e përfshirë në disa vendimmarrje në çështjen e dosjes “Partizani”, ku është i pandehur edhe ish-kryeministri Sali Berisha.
/ZËRI