DURRËS- Përmbytjet e fundit në Durrës nuk janë shkaktuar vetëm nga reshjet intensive, por nga bllokimi dhe fragmentimi i sistemit të kullimit, veçanërisht kanali i Porto Romanos. Banorët e zonës dhe ekspertët e urbanistikës akuzojnë ndërhyrjet e gabuara dhe mungesën e vizionit nga ana e bashkisë.
Banori Kolë Bajrami, prej më shumë se 30 vitesh rezident në zonë, thotë për ZËRIN se kanali dikur kishte rrjedhje të lirë drejt detit, ndërsa sot funksionon me pompa dhe është bllokuar në disa pika.
Loreta Koleci: “Kolë, prej 30 vitesh ti banon në këtë zonë”.
Banori Kolë Bajrami: “Unë jam banor i kësaj zone dhe këtu kam shtëpinë time, të vëllezërve dhe të motrës. Kemi këtë kanal këtu. Ky kanal është bërë një punë e mirë që është bërë me beton në të dyja anët, por ka ardhur e keqja, edhe pse menduam se u bë mirë, por u bë më keq, sepse është bllokuar këtu. Ky kanal, në kohën e Ahmet Zogut, ka ardhur me rrjedhje të lirë, tani duan ta kthejnë me pompa, modernizimi ka hyrë në pompa. Kjo përmbytje që është bërë kësaj radhe nuk është bërë nga reshjet, por është bërë prej këtij kanali, sepse ka ardhur i gjithë uji i kodrës dhe ka rënë në fushë dhe është bërë përmbytja në fushë.”
Loreta Koleci: A është hera e parë që ky kanal sjell përmbytjen?
Kolë Bajrami: “Hera e parë që sjell probleme, sepse herë të tjera ka zbarkuar në det, sivjet ka zbarkuar në hidrovor. A ka zbarkuar te i riu apo i vjetri, unë nuk jam i kësaj fushe, por e di që i është bërë ndalesa më parë dhe ka kthyer duke hyrë në fushë. Ky e ka mbytur fushën. Unë di që ky ka rënë me rrjedhje të lirë, tani me pompa. Problemi është i pompave, nuk është problemi i motit, sepse e dimë të gjithë që do të ketë shi. Lagjia që është përmbytur këtu, me dashje apo pa dashje, janë dy puseta 1 me 1 këtu. Në kohë rekord të dyja i kanë mbyllur, sepse thonë që vjen një fond i ri për të hapur një pusetë. Një pusetë kushton 300 mijë lekë të vjetra”.
Sipas banorëve, bashkia është në dijeni të problemit, por ndërhyrjet kanë mbetur të papërfunduara. Hapja e pusetave, që sipas tyre kërkon një kosto minimale, ende nuk është realizuar, ndërsa zona vijon të përmbytet.
Loreta Koleci: A kanë ardhur zyrtarë apo përfaqësues të bashkisë për të pyetur për këtë problem që po thua?
Banori: “Zyrtarët e bashkisë nuk kanë pse vijnë, sepse ata i kanë dhënë fondin dikujt dhe e ka ndërtuar dikush në emër të bashkisë. Ata janë të mirëinformuar që është bllokuar rruga për të rënë uji me rrjedhje të lirë në det. Në dy krahët e rrugës është një pusetë këtu me 1 metër katror dhe një tjetër është këtu, në dy krahët e rrugës. Janë si puseta, po janë të mbyllura. Ata që i kanë mbyllur nuk kanë pasur aftësi që t’i ndërtojnë deri në fund dhe i kanë mbuluar. Edhe për arsye të 600 mijë lekëve të vjetra, po u lutemi për 600 mijë lekë të vjetra të vijnë të na i hapin. Këto duhen hapur urgjentisht”.
Urbanisti Artan Kacani na shpjegon se pse është përmbytur Durrësi dhe pse pikërisht ky kanal është bërë shkaku i gjunjëzimit të këtij qyteti nga uji. Urbanisti Artan Kacani thekson se pusetat nuk janë zgjidhje dhe se problemi qëndron te mbyllja e kanalit kryesor dhe ndërtimi i një hidrovori të ri pa kapacitet të mjaftueshëm.
“Pusetat janë një mënyrë se si banorët dhe bashkia janë përpjekur të improvizojnë disa zgjidhje. Banorët dhe bashkia e dinë fare mirë që nën këmbët e tyre ndodhet një kanal që ata e kanë mbyllur dhe që dëshirojnë që të hapet, sepse vetë fluksi i ujit është tejet i lartë. Pra, pusetat nuk janë një zgjidhje. Pusetat e reduktojnë kapacitetin e mbledhjes së ujit dhe njëkohësisht duhet që medoemos të hapet kanali i rrjedhës normale dhe pusetat janë pjesë e integruar e lagjeve. Pra, nuk mund të menaxhohen kanalet me puseta dhe lagjet të lihen pa puseta. Duhen që pusetat të jenë në lagje dhe kanali të jetë i dedikuar më vete.”- thotë urbansiti.
Sipas Kacanit, Durrësi historikisht ka funksionuar si një sistem i integruar kullimi, nga Ura e Dajlanit deri në Porto Romano, por ndërprerja e këtij kolektori kryesor ka sjellë përmbytje masive në disa zona të qytetit. Ai kritikon edhe zhvendosjen e hidrovori të vjetër, i cili ndodhej në pikën më të ulët natyrore, duke e quajtur ndërtimin e hidrovori të ri një gabim strategjik.
A ka një reagim nga bashkia pas këtij skandali të madh që ka ndodhur?
Artan Kacani: “Bashkia deri më tani është hequr si një viktimë, si një viktimë që çdo gjë që ka ndodhur nga sipër ka zbatuar urdhrat. Duhet të kujtojmë që bashkia ka detyrë, duke filluar nga ligjet e reformës administrative-territoriale nga viti 2014. Bashkia duhet të përgjigjet në mënyrë imediate, jo vetëm me kapacitetet e veta, por njëkohësisht edhe me burimet dhe me fondet. Duhet ta kishte parashikuar të gjithë këtë sistem kullimi të ujërave, njëkohësisht duhet ta kishte adresuar me kanale të reja, sepse po flasim për kanalizime të 100 viteve më parë. Pra, bashkia jo vetëm nuk i ka mirëmbajtur, jo vetëm që nuk ka hapur kanale të reja, mbi të gjitha edhe ato që janë ekzistuese i ka mbivendosur mbi njëri-tjetrin, duke tenderuar miliona euro për zgjidhje që nuk janë aspak profesionale.”
Në Durrës nuk është se u përmbyt vetëm zona e Porto Romanos, pra ne pamë një Durrës totalisht të gjunjëzuar nga uji. Çfarë ka ndodhur me qytetin e Durrësit?
“Qyteti i Durrësit është një qytet ishullor, çka do të thotë që vazhdimisht ka pasur kanale të cilat drenazhojnë ujin edhe nga pjesa e Urës së Dajlanit për të dalë aty ku ne e quajmë stacioni i parë i plazhit. Hidrovori i kanalit të Porto Romanos, që lidhet në Porto Romano, i zgjatur drejt e drejt në Shkozet, në hyrje të Durrësit, duhet të kishte dalje njëkohësisht edhe në plazh. I gjithë ky peizazh kodrinor i Durrësit duhet të ishte i rrethuar me një kanal kryesor dhe me nënkanale të tjera të kategorive të dyta dhe tretësore. Fakti që kanalet janë fragmentuar ndërmjet njëri-tjetrit, pra nuk shihet më sistemi i kullimit si një sistem tërësor i gjithi, por shihet si pjesë e fragmentuar, zona e Shkozetit më vete, plazhi më vete, hyrja e kënetës më vete, Spitalla më vete. Kjo është e gabuar. Pra, duhet një vizion i gjatë, i madh për të gjithë bashkinë, në mënyrë që të kullojë të gjithë ujërat dhe t’i shkarkojë sipas rrjedhave detare. Kujtojmë që rrjedhat detare ne nuk mund t’i disiplinojmë. Rrjedhat detare vijnë nga jugu kryesisht dhe shkojnë drejt veriut. I tillë duhet të jetë edhe shkarkimi i ujërave që vijnë nga zona e Urës së Dajlanit për të kaluar drejt Porto Romanos për të shkarkuar në hidrovorin kryesor. Por fatkeqësisht ka ndodhur ndërprerja e të gjithë këtij kolektori kryesor ujëmbledhës dhe bashkia pretendon ta zgjidhë në mënyrë të fragmentuar. Nuk është një vizion qeverisës, nuk është as një vizion planifikues urban dhe mbi të gjitha është një vizion i cunguar për të gëzuar disa interesa të ndryshme brenda lagjeve të investimeve dhe njëkohësisht elektoratit të tyre, pa dhënë një zgjidhje qytetit.”- tha Kacani.
Në qendër të debatit është edhe hidrovori i ri i Durrësit, një investim prej miliona eurosh nga taksat e qytetarëve. Sipas Kacanit, ndërtimi i tij lidhet me një konflikt interesi dhe me zhvendosjen e pikës natyrore të shkarkimit të ujërave, për shkak të zhvillimit të portit. Hidrovori i vjetër, i ndërtuar në periudhën italiane, ndodhej në pikën më të ulët natyrore dhe kishte kapacitet shumë të lartë shkarkimi drejt detit. Duke u nisur nga debate mbi hidrovorin, ne pyetëm urbanistin në lidhje me këtë investim dhe si justifikohet nga bashkia.
Fokusohemi pak tek hidrovori i ri i Durrësit, gjithë ai investim, miliona euro taksa të qytetarëve të Durrësit, si justifikohet?
“Justifikimi është i thjeshtë. Sepse këtu kemi konflikt interesi. Në ligjet e plnifikimit urban, urbanistikës, të bësh një rrjedhë dalje të ujërave të zeza dhe njëkohësisht kullimit të ujërave të qytetit në një basen të portit ka konflikt të mbivendosjes së përdorimit të tokës. Normalisht këtoquhen konflikte të interest të përdorimit të tokës. E njëjta gjë edhe porti është zhvilluar në pikën e hidovorit. Kjo pikë e hidovorit të dikurshme ka qenë pika më e ulët e mbledhjes të të gjithë ujërave dhe vërshimit të tyre drejt detit, duke dhënë një kapacitet tejet të lartë për metër kub për sekondë në vërshimin drejt detit, po flasim mbi 100 metër kub, mbi 200 metër kub për sekondë. Ndërsa hidrovori i ri i cili është bërë për interesa për të shmangur konfliktin e portit është bërë diku më tutje, afërsisht 200 metra më tutje, pa bërë sistemin e mirë të drazhimit dhe kullimit të hidrovorit dhe fatkeqësisht hidrovori i ri ndodhet në një lartësi që nuk lejon kullimin e vazhdueshëm të ujit. Pra bashkia e Durrësit jo vetëm që ka bërë gabime sistematike po mbi të gjitha ato nuk i ka adresuar në territor. Gabimi i parë lidhet me mbylljen e kanalit pas meje, gabimi i dytë lidhet me këtë lloj degëzimi kaq të cunguar i cili më pas do të kalojë nga rrjedha e mbyllur në rrjedhën tretësore për tek hidrovori dhe gabimi i tretë është ndërtimi i një hidrovori të ri i cili nuk ka kapacitetin e derdhjes ashtu siç kishte pika fundore e hidrovorit të vjetër. Po me hidrovorin e vjetër çfarë po ndodh aktualisht? Eksperti Kacani: Hidrovori i vjetër është në një kusht gati mund ta quajmë shkatërrimi total. Vetë tërmeti ka shkatërruar një seri themelesh. Është një hidrovor që fatkeqësisht mbledh ujrat e zeza, mbledh kullimet e qytetit të Durrësit dhe nuk është mirëmbajtur. Është një amort... hidrovor shumë i amortizuar, por kjo nuk do të thotë që relievi dhe pozicioni nuk ishte ai i duhuri. Bashkia e Durrësit tha që u dëmtua nga tërmeti dhe pjesërisht ishte e tillë, por kjo nuk do të thotë që duhet të ndërtohet një hidrovor në një pikë tjetër. Sepse ndërtimi i një hidrovori kërkon studime të mëdha, studime të qytetit, studime të lartësive të ndryshme dhe grumbullimit të pikave të ujit. Është një projekt që nuk mund të bëhet brenda një dite, por duhen vëzhgime mbi 5-10 vjeçare për të kuptuar flukset e ujit dhe për të bërë adresimin e duhur. Ndërtimi i hidrovorit që është ndërtuar këtu nga periudha e Italisë ka dashur afërsisht 20 vite për t'u pozicionuar në vendin e duhur dhe për të kuptuar vërtetë rrjedhat. Janë procese shumë të gjata që kërkojnë maturim, planifikim territori dhe njëkohësisht borde vërtetë të specializuara të kullimit të ujrave.”- shpjegon urbanisti me detaje.
Deri më tani, nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Bashkia e Durrësit mbi akuzat për përgjegjësi direkte në përmbytje, ndërsa banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente dhe një zgjidhje afatgjatë për sistemin e kullimit të qytetit./ZËRI