
TIRANË- Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta u paraqit për herë të dytë para prokurorëve të Posaçëm lidhur me aferën 5 milion euroshe të dosjes ‘CEZ/DIA’. Kur i dënuari i vetëm për këtë çështje, Kastriot Ismailaj, ka vetëm dy muaj që ka lënë qelinë, nëntë vite pas arrestimit, çështja është rihapur.
Gjithçka nisi në vitin 2009, kur në pushtet ishte qeveria e kryeministrit Sali Berisha.
Ismailaj, pronari i kompanisë “DIA”, lidhi marrëveshje me “CEZ-Albania” me qëllim mbledhjen e borxheve financiare të klientëve që kishin detyrime financiare në mospagimin e energjisë elektrike në Shqipëri. Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, OSSH shiti 75% të aksioneve tek çekët e “CEZ”-it. Por, marrëveshja rezultoi një dështim. Kompania me qendër në Pragë pësoi humbje të mëdha dhe borxhet nuk i mblodhi dot, duke i shkaktuar dhe një dëm me vlerë 5 milion euro shtetit shqiptar.
Për rredhojë, shteti shqiptar vendosi të largojë firmën energjitike Çeke, “CEZ-Albania”, por kjo e fundit nisi proces arbitrazhi kundër Shqipërisë për dëmet. Shqipëria u detyrua t’i paguajë CEZ-it 95 milionë euro për të rimarrë pronësinë e kompanisë.
Paralelisht, në vendin tonë nisi një proces penal, pas një kallëzimi të bërë nga Partia Socialiste. Hetimi vërtetoi se Kastriot Ismailaj kishte përvetësuar të paktën 5 milionë euro nga “CEZ” përmes faturave fiktive të mbledhjes së borxhit të keq dhe se kjo skemë ishte përdorur për t’i ndarë paratë me pushtetarët shqiptarë.
Dëshmitë përfshinë dhe Metën.
Jozef Hejsek, ish-shefi ekzekutiv i CEZ disa vite më parë deklaroi në prokurori se Ilir Meta kishte rekomanduar Kastriot Ismailajn dhe kompaninë DIA si një njeri të besuar dhe të aftë për mbledhjen e borxheve. Dritan Prifti rrëfeu gjithashtu se Meta kishte udhëtuar në Çeki për të negociuar kontratën për Kastriot Ismailajn.
Dy dëshmitarët kryesorë ishin: Nuel Kalaj, sekseri që lidhi qeverinë “Berisha” me çekët dhe Hamza Merxhani, që lidhi Kalajn me qeverinë e asaj kohe.
Në e-mailet e Kalajt tregoheshin edhe lidhjet mes tyre dhe jepen të dhëna për kontaktet me ministra të asaj kohe. Ai gjithashtu akuzohej se kishte përfituar 7 milionë euro.
Tashmë kjo dosje po hetohet sërish, pas një kallëzimi të bërë nga Romeo Karaj, ish-jurist i OSHEE-së, gjë që pasoi dhe me thirrjen e Metës.
Vetë kreu i Partisë së Lirisë e konsideroi një telenovelë të nisur nga një person i dënuar për dhunë në familje, referuar juristit.
“Është telenovelë që është gjykuar 2 herë dhe është rihapur në dhjetor të 2019-ës nga një kallëzues i rremë i cili është dënuar 2 herë nga gjykata për shpifje dhe një herë nga gjykata për dhunë në familje. Faleminderit”- tha Meta.
A do të jetë kjo dosje një arsye që do të bëjë që emri i Berishës të përfundojë sërish në SPAK?
Një gjë është e sigurtë, kjo vjeshtë, nuk është ‘pranvera e jetës’, siç shumë herë e quan lideri demokrat kur feston ditëlindjen…
Ndiqni videon e përgatitur nga Zëri.ai: