
TIRANË- Samiti BE-Ballkani Perëndimor u mbajt sot në Tiranë, por me mungesën e Kosovës. Asnjëri prej liderëve shtetërorë nuk ishte i pranishëm në kryeqytetin shqiptar, për të përfaqësuar Kosovën në samitin ku në fokus ishte paketa 6 miliardë euro e fondeve që BE do të shpërndajë në formën e ndihmave, kredive dhe granteve për projekte të caktuara, për 6 vendet e rajonit. Ndryshe nga Samiti për Ukrainën ku Prishtina zyrtare u përfaqësua me Presidenten Vjosa Osmani, ditën e sotme kryeministri Albin Kurti nuk ka udhëtuar drejt Tiranës, edhe pse ishte përfolur pjesëmarrja e tij në samit dhe një takim i mundshëm me Presidentin serb Aleksandër Vuçiç nën ndërmjetësimin e kryeministrit Edi Rama. Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës Përparim Kryeziu ka zbuluar se Kurti mungon për shkak të angazhimeve. Për mungesën e homologut të tij, kreu i qeverisë Edi Rama tha se kishte arsye objektive. Rama deklaroi se në qershor do të jetë gati aplikimi për digjitalizimin e tregut të përbashkët, që do të mundësojë shkurtimin e orëve të pritjes së kamionëve në dogana.
Ndër të tjera ai shtoi se nëse përmbushen kërkesat për zonën e përbashkët të pagesave, do të ulen me 6 herë tarifat e qytetarëve tanë për të sjellë para në shtëpitë e tyre. Rama vuri theksin te rëndësia e paqes mes vendeve të rajonit, duke u shprehur se duhet lënë pas çdo konflikt pasi në të kundërt rrezikohet integrimi në BE. Kreu i qeverisë Edi Rama është përballur dhe me një gazetar italian. Teksa priste pjesëmarrësit për nisjen e Samitit, gazetari e pyeti Ramën nëse do të paguante dëmshpërblimin e dhënë nga Gjykata e Arbitrazhit për biznesmenin Francesco Beçheti. Kreu i qeverisë u shpreh se Beçhettin nuk e njeh dhe se nuk do të marrë asnjë qindarkë nga Shqipëria, përsa kohë të jetë ai në qeveri. Me siguri, Rama shtoi se edhe për të paktën pesë vite do të ishte në krye të qeverisë.