
TIRANË- Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit janë paraqitur sot në banesën e kryebashkiakut Erion Veliaj për të sekuestruar celularin e bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa. Më pas, së bashku me vetë Xoxën, agjentët janë paraqitur edhe në galerinë e saj, “Harabel”, për të ushtruar kontroll. Vetë Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka bërë me dije në një njoftim të shkurtër se ka nisur një procedim penal dhe se nuk mund të japë detaje të tjera në lidhje me këtë hetim. Kryebashkiaku Veliaj ndodhet në Hamburg të Gjermanisë, për një vizitë dy ditore, ku ka zhvilluar një takim me homologun Peter Tschentscher. Ai nuk ka bërë asnjë reagim në lidhje me kontrollet në fjalë, por në profilin e tij në Facebook ka publikuar foton e një tigri nga Kopshti Zoologjik në Tiranë.