TIRANË-Shefi i Antidrogës në Policinë e Durrësit, Gazmir Preçi, është vënë në pranga me urdhër të AMP-së. Preçi duke shfrytëzuar funksionin e tij, i ka kërkuar 20 mijë euro pronarit të një lokali nate striptizmi në Durrës, dhe i ka marrë atij 10 mijë euro, duke e shantazhuar se do t’i bllokonte aktivitetin. Në këtë biznes, me urdhër të Preçit ishte kryer disa herë kontroll, por nuk ishte konstatuar ndonjë aktivitet i paligjshëm. Megjithatë, Preçi ka pasur pretendime për punonjës të pasiguruar në biznes, edhe pse kjo nuk ishte pjesë e kompetencave të tij. I gjendur në kushtet e presionit, pronari i lokalit e ka denoncuar shefin e komisariatit në Agjensinë e Mbikqyrjes policore, me urdhër të të cilës u krye dhe arrestimi.
AMP bëri arrestimin në flagrance të Preçit, teksa pronari i biznesit dhe kryekomisari u takuan në një lokal në zonën e Kinostudios në Tiranë, ku do të bëhej pagesa e parë prej 10 mijë eurosh./ZËRI