
TIRANË- Dy persona janë shpallur në kërkim pasi akuzohen se janë bashkëpunëtorë të autorit të vrasjes së Ermir Dedjas, ngjarje e ndodhur pak ditë më parë në Durrës. Të dy akuzohen për veprën penale: ‘sigurim kushtesh për të kryer vrasje'.
Më konkretisht, dyshohet se ata kanë siguruar mjetin tip "Seat" që u gjet i djegur në Gërdec, për të ndihmuar autorët, të cilët po ashtu mendohet se janë 2 persona. Por të dy të shpallurit në kërkim, sipas verifikimeve në sistemin TIMS, janë larguar nga Shqipëria pas ngjarjes. Njëri prej tyre është maroken dhe një ditë para vrasjes rezulton se ka sjellë makinën nga jashtë, përmes portit të Durrësit. Më pas, është larguar. Ndërkohë që për personin tjetër nuk ka detaje. Ekspertët e kriminalistikës kanë sekuestruar disa prova nga automjeti i djegur në Gërdec dhe janë në pritje të analizave laboratorike. Pista kryesore për vrasjen e 29-vjeçarit është prishja e pazareve të drogës, kjo edhe për shkak të të shkuarës problematike që kishte i riu.