
TIRANË- Ministri Ulsi Manja ka dërguar në Prokurori një dosje tjetër me 14 të akuzuar. Bëhet fjalë për 10 përmbarues, 1 noter, 1 avokat, 1 ekspert vlerësues, 1 administrator dhe 4 kompani mikrokredish, MCA, Final, ADCA, TDR Group. Sipas Gazetës DITA, në kallëzim, ministri Manja ka lënë dhe disa të dhëna për raste konkrete. Raiffeisen Bank, e denoncuar dhe nga ZËRI, ka përcjellë informacion për vendosjen e 21 550 urdhrave të sekuestrimit të llogarive bankare nga përmbaruesit Fatos Alimadhi, Lefter Canaj, Altin Vako. Ndërsa përmbaruesi Rigels Bejko, ka kryer i vetëm 1966 ankande publike për më shumë se 3 000 prona. Kurt (Kutish) Hysa dhe Irma Hysa nga Borovjani i Dibrës, që kishin marrë një kredi konsumatore tek NOA në 2019, u ka dalë në ankand ara me sipërfaqe 1560 m2 për vetëm 36 240 lekë. Tashmë ara në fjalë është në pronësi të MCA, gjithashtu një institucion mikrofinanciar i denoncuar tek ZËRI. Klarida Tahiri dhe Gramos Tahiri nga Vlora, për një kredi te NOA që kanë marrë në vitin 2018, u është nxjerrë apartamenti në ankand për 189 110 lekë. Prona është marrë nga MCA. Besnik Serjani, ka marrë një kredi tek MCA në 2017, është mashtruar për të larë një kredi të vjetër e ka marrë një të re. Edhe Serjanit gjithashtu i është rrëmbyer prona truall nga MCA. Hamit dhe Nazmie Koka nga Bërzhita Tiranë, për një kredi konsumatore tek NOA i është sekuestruar ndërtesa me sipërfaqe 129 m2 për vlerën 21 391 lekë.
Ka dalë në ankand për 238 480 lekë dhe është rrëmbyer në Kadastër nga MCA. Vetëm një javë më parë Prokuroria lëshoi nëntë masa sigurie dhe sekuestroi 10 milionë euro, në llogari të të përfshirëve në skandalin e mikrokredive./ZËRI