
TIRANË- Kaosi me porositë online vijon të përbëjë problem në Shqipëri, por dy prej postave që kanë marrë përsipër shpërndarjen e pakove të blera nga shqiptarët në E-Bay dhe Ali Express janë distancuar nga çdo lloj problemi. Pavarësisht se përmes denoncimeve të bëra në rrjetet sociale dhe JOQ, qytetarët shprehen të shqetësuar për pakot që kanë paguar dhe nuk kanë përfunduar në duart e tyre dhe se nuk mund t’i gjurmojnë, Posta Shqiptare dhe Albanian Courier pretendojnë se e kanë kryer detyrën e tyre.
ZËRI dërgoi një kërkesë për informacion kundrejt Postës Shqiptare, Albanian Courier dhe Ultra Post. Dy të parat janë distancuar nga çdo problematikë, ndërsa Ultra Post nuk ka kthyer asnjë përgjigje, deri në publikimin e këtij artikulli.
E pyetur se kush mban përgjegjësi për skandalin me porositë e qytetarëve që nuk u kanë mbërritur në adresat e paracaktuara, duke qenë se pagesat për produktet janë bërë me kartë dhe si përfundim, klienti nuk ka as porosinë dhe as paratë, Posta Shqiptare ua faturon përgjegjësinë dy postave private, duke u shprehur: Këtë pyetje do të duhet t'ia drejtoni subjektit tregtar ku qytetarët bëjnë porosinë/blerjen ose operatorit postar përgjegjës për ofrimin e shërbimit postar për dërgesën në fjalë.
Ndërsa Albanian Courier pretendon se deri ditën e premte, por nuk cakton datë dhe nuk kuptohet për cilën të premte e ka fjalën, ka shpërndarë pothuaj të gjitha pakot e “AliExpress”. Sipas tyre, ka mbetur pa shpërndarë vetëm një pjesë shumë e vogël e tyre (4-5%) që kanë probleme me saktësinë e adresës dhe me informacionin e klientit që ka bërë blerjen online./ZËRI