
TIRANË- Një megaoperacion mes autoriteteve shqiptare dhe italiane, ka goditur një nga grupet më të fuqishme kriminale me bazë në Durrës, që operonin në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Altin Dumani tha se është goditur grupi më i fuqishëm në Shqipëri për trafikun ndërkombëtar të drogës.
Sipas SPAK, trafiku i drogës kap një vlerë rreth 7 milionë euro, me 30 episode sekuestrimi në Itali dhe 10 në Shqipëri e vende të tjera të Bashkimit Europian. Në kërkim është një nga personat kyç në këtë rrjet kriminal, është Ervis Doçi, nipi i Xhevdet Troplinit (i njohur si Poja), një emër i njohur i botës së krimit, më herët i dënuar për trafik droge. Po ashtu, urdhërarrest është prerë edhe për administratorin e një kompanie udhëtimi, Ligor Çombashi, edhe për një avokat në Durrës Armand Tragaj. Edhe për këtë operacion, ka të përfshirë me grupin kriminal, dy punonjës të Policisë së Shtetit. Një prej tyre është identifikuar si Orges Molla. Gjithashtu është ndaluar edhe avokati Tragaj, i cili rezulton i përfshirë në katër episode të ndikimit të paligjshëm. Përveç të arrestuarve janë sekuestruar 3 restorante në Durrës, një bar-kafe, 6 shoqëri tregtare dhe një televizon lokal në Vlorë. Të gjitha bizneset ishin investuar nga të ardhurat e aktivitetit kriminal.