
TIRANË- Një takim i thirrur nga Lindita Nikolla, në të cilin kanë marrë pjesë krerët e grupeve parlamentare duket se do të ‘ulë gjakrat’ në Kuvend. Në takimin që është mbajtur në Kryesinë e Kuvendit, dhe ka zgjatur mbi 3 orë, kanë qenë të pranishëm Bledi Çuçi, Gazment Bardhi, Dashamir Shehi dhe Mesila Doda. Bardhi dhe Cuçi kanë shprehur vullnetin për të gjetur gjuhën e përbashkët dhe madje pas takimit në grup, kanë pasur dhe një bisedë ‘kokë më kokë’, ku kanë diskutuar pikat që secila palë mund të lëshojë, për rikthimin e Kuvendit në normalitet. Vetë Bardhi, i pranishëm në studion e “Opinion” tha se ka kërkuar që nga dita e parë zbatimin e Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit, por që nga nisja e aksionit opozita vetëm ka humbur terren edhe ligjërisht pasi mazhoranca ka miratuar e vetme ndryshimin e ligjit për komisionet hetimore parlamentare si dhe ka ashpërsuar dënimet për deputetët që kryejnë akte të dhunshme në sallë.