
SHKODËR- Në banesën në pronësi të 62-vjeçares Frida Sala, e cila punon në doganën e Hanit të Hotit dhe peshon mallrat që hyjnë e dalin, ka shpërthyer një sasi tritoli. Ngjarja ka ndodhur këtë mëngjes, rreth orës 03:40, në momentin që Sala me bashkëshortin e fëmijët ishin ngritur për të ngrënë vaktin e syfyrit duke qenë se agjërojnë në këtë muaj të shenjtë të Ramazanit. Burime për ZËRI bëjnë me dije se autori ishte i maskuar dhe është larguar menjëherë pas shpërthimit. Në dëshminë e dhënë para bluve, Sala deklaroi se nuk ka konflikte me askënd dhe se nuk e ka idenë kush mund të ketë qenë autori. Pamjet filmike të kamerave të sigurisë janë sekuestruar, por policia nuk ka arritur ende që ta identifikojë autorin. Dyshimet janë se ngjarja mund të ketë lidhje me punën e Salës në doganë.