TIRANË-Gjykata e Posaçme ka vendosur të pushojë çështjen penale ndaj ish-kreut të Komisionit të Prokurimit Publik, Jonaid Myzyraj, dhe personave të tjerë të pandehur për shkeljet me një tender me vlerë 2,2 mln euro. Vendimi vjen pas kërkesës së SPAK, që kishte kërkuar pushimin e hetimeve, duke argumentuar se nga hetimet nuk janë evidentuar elementë të mjaftueshëm për vijimin e akuzës. Më herët, GJKKO i kishte lënë SPAK-ut një afat prej 45 ditësh për administrimin e një akti ekspertimi të kryer nga ekspertë të licencuar. Edhe pas përfundimit të këtij procesi, Prokuroria e Posaçme arriti në përfundimin se Myzyraj nuk kishte kryer shkelje penale. Përveç Myzyrit, SPAK kërkoi pushimin e çështjes edhe për Vilma Zhupaj, Lindita Skeja, Merita Zeqaj dhe Enkeleda Bega, kërkesë që u miratua nga gjykata. Ish-kreu i Prokurimeve Publike u mor i pandehur në qershor të vitit 2025 për “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.
/ZËRI