
TIRANË- Rrahman Rraja mund të ketë hequr dorë nga mandati i tij si deputet i Partisë Socialiste, por duke se ka lënë pasardhës në politikë. Vajza e tij, Albora Rraja është zgjedhur anëtare e Asamblesë së Partisë Socialiste. Albora është përfshirë në listën e të rinjve, vetëm pak muaj pasi i ati i saj dha dorëheqjen nga posti i deputetit të Krujës. E gjitha pas skandalit në Fushë Krujë, ku anëtarë të fisit Rraja dhunuan barbarisht disa banorë të zonës që ishin ankuar për dëmin që u shkaktonin punimet në guroren e Rrajave. Për ngjarjen e ndodhur me 6 korrrik të vitit të shkuar u arrestuan dhe u lanë në burg Ineidi Rraja, Andi Rraja dhe Eni Kullaj, si dhe janë ende në kërkim Rexhep Rraja, Flamur Rraja, Klajdi Rraja, Edison Meta dhe Përparim Rraja. Në pranga më 12 korrik të këtij viti përfundoi edhe Xhelal Rraja, i cili përpos dhunës ndaj fisit Maja akuzohet si një nga anëtarët e bandës së Niklës dhe se bashkë me Durim e Valter Bamin bashkëpunonin për të ekzekutuar Arben Ndokën. Rraja dhe vëllezërit Bami kanë bashkëpunuar edhe me Endrit Doklen për të kryer vrasjen e Ndokës por edhe të ish-bossit të lojërave të fatit që sot rezulton i zhdukur pa gjurmë, Ervis Martinaj.