
TIRANË- Bankat e nivelit të dytë në Shqipëri janë vendosur në hetim nga Autoriteti i Konkurrencës pasi ka dyshime për abuzim me shitjen e sigurimit të jetës për kredi. Hetimi i thelluar përfshin periudhën kohore nga nëntori i vitit 2021 deri në mars të vitit 2025. Autoriteti i Konkurrencës ka konstatuar se sjellja e bankave shfaq mungesë konkurrence pasi qytetarët që marrin një kredi nuk janë të lirë të përzgjedhin shoqërinë për sigurimin e jetës për kredi, pasi u përcakohet nga vetë bankat.
Pra, sipas Autoritetit të Konkurrencës, bankat e nivelit të dytë kanë shkelur nenin 4 dhe nenin 9 të ligjit “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”. Neni 4 i Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës ndalon dy ose më shumë operatorë në të njëjtin treg që të bien në marrëveshje me njëri-tjetrin për të kufizuar konkurrencën, për shembull, përmes caktimit të çmimeve të njëjta, kufizimit të sasisë apo vendosin kritere të tjera kufizuese për konsumatorin. Neni 9 i ligjit ndalon kompanitë të cilat vlerësohet se kanë fuqi dominuese në treg nga abuzimi me këtë fuqi dominuese./ZËRI