
TIRANË- Policia e Himarës ka arrestuar dy persona të tjerë, që dyshohet se janë përfshirë në vrasjen e recepsionistit Eraldo Nevruzi. Në pranga kanë rënë dy punonjësit e hotelit Greccia në Dhërmi, Daniel Qose e David Larti, të cilët ndihmuan në fshehjen e trupit të viktimës. Policia ka vijuar edhe gjatë natës kërkimet për gjetjen e trupit të 31-vjeçarit Nevruzi, por që deri tani nuk është bërë e mundur që të lokalizohet.
Me rëndësi për hetimet, pritet dëshmia e autorit kryesor të vrasjes, shtetasit Gerald Shehu, i cili u arrestua pasditen e djeshme në Korfuz të Greqisë, në tentativë për t’u arratisur drejt Britanisë së Madhe, ku jetonte prej vitesh. Në kasafortën e dhomës së tij të gjumit, policia ka gjetur një gëzhojë, e cila është dërguar për ekspertim. Dy janë pistat paraprake të hetimit, një për konflikt banal të çastit dhe tjetra për njohje të mëparshme dhe përfshirje në aktivitete të paligjshme në Angli ku të dy, viktima dhe autori jetonin e punonin.