Aktualitet

Vijojnë gjobat për protestuesit, Policia: 50 mijë lekë pë 31 qytetarë, nën hetim Dritan Goxhaj dhe Edison Lika

Policia njofton se nën hetim në gjendje të lirë janë vënë Dritan Goxhaj dhe Edison Lika

F.I
Vijojnë gjobat për protestuesit, Policia: 50 mijë lekë
pamje nga protesta e 4 nëntorit

TIRANË-Për të tretën ditë radhazi, Policia ka vijuar gjobitjen me vlerë 50 mijë lekë të vjetra për protestuesit. Në kuadër të tubimit të zhvilluar më 4 nëntor, janë gjobitur 31 protestues. Policia njofton se nën hetim në gjendje të lirë janë vënë Dritan Goxhaj dhe Edison Lika, të cilët kundërshtuan punonjësit e policisë dhe nuk i vunë në dispozicion dokumentet e identifikimit për procesverbalin e gjobës.

Dy aktivistët u shoqëruan në Komisariat gjatë momentit, ku disa protestues u përplasën fizikisht me efektivët dhe rrethuan furgonin e policisë, në përpjekje për të penguar largimin e tyre.Në orët e mbrëmjes Goxhaj dhe Lika u lanë të lirë.

Njoftimi i policisë:

Bllokuan rrugën dhe penguan qarkullimin e automjeteve, gjatë tubimit të djeshëm, vendosen 31 masa administrative.

Procedohen penalisht 2 shtetas të tjerë, për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësve të Policisë.

Në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28.10.2026, konkretisht pikës 2 të nenit 24/1, janë plotësuar 31 procesverbale për konstatimin e kundërvajtjeve administrative të kryera gjatë tubimit të zhvilluar pasditen e djeshme, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për shtetas që kanë bllokuar rrugën dhe kanë penguar qarkullimin e mjeteve të transportit, pavarësisht thirrjeve të përsëritura të punonjësve të Policisë, nëpërmjet megafonit.

Për secilin prej këtyre shtetasve është vendosur masa administrative gjobë në vlerën 5 000 lekë.

Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit D. G. dhe E. L., pasi dje në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nuk i janë bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, për të paraqitur dokumentet e identifikimit. 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

MOS HUMB