DROPULL- Gjykata e Gjirokastrës ka dënuar me 30 vite burg Thoma Mastora për vrasjen e dyfishtë të çiftit të moshuar Kosta dhe Kleoniqi Ilia në fshatin Bodrishtë të Dropullit, ngjarje e ndodhur në vitin 2024.
Thoma Mastora, nga fshati Bodrishtë, Dropull, u dënua per kryerjen e vepres penale “Vrasje në rrethana të cilësuara”. Vendimi është dhënë këtë të mërkurë në përfundim të procesit gjyqësor për ngjarjen e rëndë të ndodhur 2 vite më parë.
69-vjeçari që kishte lidhje të ngushta prej vitesh me dy të moshuarit ka qenë i fundit person që i ka takuar. Më 30 prill, ai shkoi në banesën e tyre për të kaluar pasditen, gjë që e bënte zakonisht. Por diçka ka shkuar keq. Aq keq, sa ai i ka vrarë të dy miqtë e tij. Dyshohet se sherri mund të ketë nisur me Kostën, dhe Kleoniqi është vrarë për të mos lënë dëshmitarë, por arsyeja mbetet ende e paqartë. E vetmja shenjë që la ishte gota e rakisë që ishte në tavolinën e ndodhur në oborrin e shtëpisë, ku u gjend i pajetë edhe 84-vjeçari Kosta Ilia.
Nga të dhënat e mbledhura nga të afërmit e viktimave, prej kohësh 88-vjeçarja ankohej te të afërmit e saj se 69-vjeçari i shqetësonte me praninë e tij. Por se përse nuk dihet./ZËRI