GREQI-Protothema ka publikuar pamjet nga disa prej momenteve ku bizneseve të ndryshme u hidhen granata dore nga grupi kriminal që drejtohej nga i burgosuri, Klodian Lekocaj alias Klod Cara. Videot janë publikuar pas operacionit të 3 nëntorit, ku Policia greke goditi një organizatë kriminale, e cila dyshohet se zhvaste biznese në Athinë përmes kërcënimeve, shpërthimeve me granata dhe zjarrvënieve.
Sipas hetimeve, në krye të rrjetit qëndronte shqiptari Klodian Lekocaj, i cili ndodhet i burgosur në burgun e Trikalës, por vijonte të drejtonte aktivitetin kriminal edhe nga qelia. Në imazhet e ndara shihen sulmet me granatë dore ndaj dy lokaleve në qendër të Athinës, në fillim të muajit shtator. Grupi vendoste gjoba ndaj bizneseve, të cilët ishin të detyruar të paguanin ose do të përfundonin të hedhur në erë.
Pamjet tregojnë edhe sulmin e kryer në fillim të tetorit ndaj njërit prej dy lokaleve të përmendura më sipër. Autorët kalojnë përpara lokalit, hedhin një granatë dore brenda ambienteve, ku ndodheshin klientë dhe largohen nga vendi i ngjarjes. Fatmirësisht, granata nuk shpërtheu.
49-vjeçari Lekocaj drejtonte, ndërsa anëtarët e tjerë mblidhnin informacionee për objektivat e përzgjedhur, mbikëqyrnin banesat dhe ambiente me interes, identifikonin persona dhe automjete, si dhe fotografim e hartëzim të zonave. Ata merreshin gjithashtu me sigurimin e mjeteve të nevojshme, kryerjen e sulmeve dhe largimin nga vendet ku kryheshin veprimet kriminale.
Lekocaj është i njohur për veprat e tij penale edhe brenda burgut. 49-vjeçari akuzohet për porositjen e disa vrasjeve, futjen e sendeve të palejuara në qeli, pengmarrje gardianësh apo kërcënime, ka pranuar fajësinë e plagosjes së bashkëkombasit të tij. Së fundmi Cara më 14 shkurt mori përsipër porositjen e vrasjes në qeli të bashkëatdhetarit të tij, 46-vjecarit Dhimo Meci brenda burgut të Malandrinos./ZËRI